KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Takimet për teatrin, artistët të ndarë

Takimet për teatrin, artistët të ndarë

Artistët dhe komuniteti teatror kanë kërkuar një përballje me ministren e kulturës Mirela Kumbaro në sallën e Teatrit Kombëtar, por nuk e kanë arritur atë. Një ndasi ka ndodhur mes grupit të artistëve. Një pjesë prej tyre kanë shkuar të negociojnë me ministren Kumbaro në zyrën e saj.
Ndërkaq anëtarë të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit si dhe Sindikatës së Pavarur e Aktorëve të teatrit, kishin mbushur sallën e Teatrit Kombëtar. Mes tyre nuk munguan diskutimet mbi mënyrën si do të vijonin negociatat me Ministrinë e Kulturës. Për një gjë ata ishin të vendosur: kusht i panegociueshem mbetet godina e Teatrit Kombetar.
“Ne kërkojmë të anullohet vendimi për çvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe të bëhet transparenca e plotë në lidhje me ndërtimin e teatri të ri” tha aktori Alert Celoaliaj. “Të pezullohet projektligji dhe të hapet dialogu për një projektligj tjetër” shtoi ai.
“Nëse ju doni të shkoni për çikërima, ju mund të shkoni të bisedoni, por ai ligj duhet bërë nga fillimi” ju drejtua kolegëve aktori Sokol Angjeli. “”Thëmbra e Akilit” është territori i Teatrit Kombëtar. Ata mjeshtrat e dinë se dinë se kushton 2000 euro metri katror” tha aktori. Zoti Angjeli ju referua kryetari të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, sipas të cilit në truallin e Teatrit Kombëtar “do të bëhet një kullë e madhe që do të pjelli teatrin e vogël”.
“E mirëpresim ministren këtu, …Ajo duhet të vijë këtu me mijë përqind” tha aktori Alfred Trebicka. Ai ju referua një takimi polemizues afro 20 vite më parë në Teatrin Kombëtar me ish ministrin e kulturës, kryeministrin aktual Rama. “Nëse takimi nuk do ishte bërë këtu, kulla do ishte bërë” tha zoti Trebicka.
Për regjisorin Altin Basha artistët duhet të dërgojnë në ministri një person që do të paraqesi vërejtjet e komunitetit të artistëve projektligjin, por të mos diskutohet për Teatrin.
Ndërkohë që artistët merrnin këto vendime, në zyrën e Ministrisë disa artistë të cilët sipas Sindikatave te Teatrit nuk përfaqësojnë interesat e përbashkëta të aktorëve, por interesat e tyre vetjake, biseduan me ministren Kumbaro.
Për të zgjidhur këtë ngërç në dialog për të dyja pikat fatin e teatrit si dhe amendimet e pr/ligjit SASE dhe SPAT, zgjodhën dy përfaqësues, Kastriot Çipi dhe Ema Andrea” të cilët shkuan dhe i dorëzuan ministres kërkesat e tyre.
“Edhe përsa i përket ndërtesës së Teatrit Kombëtar jemi tashmë në një komunikim publik” ta zonja Kumbaro. “Kur duam të bëjmë diskutime dhe të marrim vendime të rëndësishme, forma e përfaqësimit është ajo që vendos” tha ministrja e kulturës. “Si të dëshironi ju, qoftë në grupe qoftë të mandatuar, jemi këtu për të dialoguar. Mendoj se modeli më i mirë i diskutimit është ai në zyrat e shtetit” u shpreh zonja Kumbaro.
Ndonëse kanë propozime të ndryshme në lidhje me statusin e artistit, kontratat dhe pavarësinë e institucioneve, në një pikë artistët gjejnë gjuhën e përbashkët: Të mbrojnë Teatrin Kombëtar me çdo kusht nga kullat.

Sicred