KRYEFAQJA » LAJME » Tahiri: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet në dy nivele

Tahiri: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet në dy nivele

Zyrtarë të lartë në Qeverinë e Kosovës thonë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të rifillojë dhe të përgatitet për fazën përmbyllëse të tij që do të ‘nënkuptonte njohjen reciproke mes dy shteteve’. Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri tha se me lirimin e Ramush Haradinajt është hequr vendimi për pezullimin e dialogut me Serbinë, i bërë me një Rezolutë të Kuvendit të Kosovës. Ministrja Tahiri tha se dialogu tani duhet të zhvillohet në dy nivele, njëri teknik dhe tjetri politik, që do të ndihmojë, sipas saj, përmbylljen e dialogut. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj iu tha anëtarëve të një komiteti për punë të jashtme të Parlamentit Evropian se “dialogu me Serbinë duhet të ketë një qëllim të qartë, që është njohja e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”. Pa njohje, tha Hoxhaj, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pavlerë, por njohja e ndërsjellë duhet të jetë qëllim të cilin duhet ta kemi si një strategji të qartë për vitet në vijim”, tha Hoxhaj. Dialogu i nisur prej më shumë se pesë vjetësh, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, u pezullua javë më parë, përmes Rezolutës që Kuvendi i Kosovës miratoi me kërkesën për lirimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga ndalimi në Francë. Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një varg marrëveshjesh në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ky Dialog ka hapur kapituj të ri të të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane. Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, ndërkohë që Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian.

Sicred