KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sulmuesi në Paris me prejardhje Ruse, shteti islamik merr përgjegjësinë

Sulmuesi në Paris me prejardhje Ruse, shteti islamik merr përgjegjësinë

I dyshuari i sulmit vdekjeprurës me thikë në qendër të Parisit, mbrëmjen e së shtunës, ishte lindur në vitin 1997 në Republikën ruse të Çeçenisë. Agresori vrau një 29-vjeçar dhe plagosi 4 persona të tjerë në një zonë të mbipopulluar pranë Operas, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia. Ai raportohet të ketë thirrur “Allahu është i madh” në gjuhën arabe, sipas dëshmitarëve. Forcat e sigurisë e kanë identifikuar agresorin, edhe pse thuhet se ai nuk mbante asnjë dokument identifikimi me vete dhe zyrtarisht nuk i është bërë i ditur emri. Por, burime të drejtësisë u kanë thënë mediave franceze se i dyshuari nuk kishte preçedentë penalë dhe se prindërit e tij janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Agresori besohet të jetë nënshtetas francez. Më vonë, Shteti Islamik mori përsipër sulmin, duke thënë se një prej “ushtarëve” të tij kishte kryer aktin. Presidenti francez, Emmanuel Macron reagoi në “Twitter”, ku shkroi se “Franca pagoi sërish me gjak, por nuk do të dorëzojë as edhe një centimetër lirie përkundrejt armiqve”. Kjo është hera e parë që një agresor me origjinë çeçene ka ndërmarrë një sulm terrorist në Francë, aty ku jetojnë rreth 30 mijë persona të ardhur nga rajoni jugor i Federatës Ruse. Franca ka qenë në gjendje të lartë gatishmërie për shkak të një serie sulmesh terroriste. Më shumë se 230 persona u vranë nga xhihadistët e frymëzuar prej Shtetit Islamik përgjatë 3 viteve të fundit.

Sicred