KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sulmet në Siri, Tramp: Do përgjigjemi forcërisht

Sulmet në Siri, Tramp: Do përgjigjemi forcërisht

Presidenti amerikan Donald Tramp ka premtuar se do t’i kundërpërgjigjet forcërisht sulmit të pretenduar si kimik në Siri, ndërsa liderët perëndimorë po shqyrtojnë se çfarë veprimi të ndërmarrin. – Ne kemi shumë opsione ushtarake, – u tha ai gazetarëve, duke shtuar se së shpejti do të vendoset se çfarë lloj përgjigje do t’i jepet sulmit me sarin që u ndërmor të shtunën në Duma të Sirisë. Zoti Tramp u shpreh se SHBA-të po qartësoheshin për faktin se kush është përgjegjës për incidentin. Burime nga mjekët në terren raportojnë se dhjetra persona humbën jetën gjatë sulmit por është e pamundur të verifikosh numrin e saktë të viktimave. Zoti Tramp gjithashtu diskutoi mbrëmë për incidentin me presidentin francez Emanuel Makron, dhe të dy liderat janë shprehur për një përgjigje të vendosur, bëri të ditur pallati Elizee. Agjencia franceze e lajmeve AFP citoi zëdhënësin e qeverisë franceze i cili ka thënë se nëse kalohet kufiri i kuq, do të ketë një përgjigje dhe se informacioni që kanë dy liderët në teori konfirmon përdorimin e armëve kimike. Në muajin shkurt, zoti Makron kërcënoi se do të sulmonte Sirinë nëse provohej përdorimi i armëve kimike. Kryeministrja britanike Tereza Mei është shprehur se e dënon sulmin barbar dhe u kujtoi mbështetësve të Bashar Al Asad se do vihen para përgjegjësisë. Reagimet e liderëve perëndimorë pasojnë një mbledhjen e tensionuar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë së cilës SHBA dhe Rusia shkëmbyen fjalë të ashpra mbi incidentin. Përfaqësuesi rus Vasili Nebenzia tha se sulmi i pretenduar ishte i sajuar dhe paralajmëroi se nëse SHBA-ja vepronte ushtarakisht kjo do të conte në pasoja të rënda. E dërguara amerikane Niki Heili u shpreh se Rusia, e cila mbështet ushtarakisht regjimin e bashar al-asad, i kishte duart e lyera me gjakun e fëmijëve sirianë. Ajo shkoi më tej duke e quajtur presidentin Asad një përbindësh. Zonja Heili kërkoi që të votohet një draft rezolute që mbështet ndërmarrjen e një hetimi për përdorimin e armëve kimike në Siri. Por Rusia u shpreh se nuk mund ta mbështeste propozim pasi ai përmbante elementë të papranueshëm.

Sicred