KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sulmi në Berlin vë në pikëpyetje sigurinë gjatë festave

Sulmi në Berlin vë në pikëpyetje sigurinë gjatë festave

Policia gjermane pas hetimeve të orëve të para në tregun e Berlinit ku ndodhi një sulm me kamion i cili la 12 të vdekur e 50 të plagosur, ka konfirmuar se drejtuesi i kamionit tashmë është arrestuar dhe po merret në pyetje ndërsa personi i gjetur i vdekur në ndenjësen e pasagjerit ende nuk dihet nëse ka pasur rol në këtë sulm. Ekspertët e mjekësisë ligjore thanë se ai ka vdekur nga plagë të paqarta. Policia ende nuk ka dhënë informacione mbi shtetësinë e drejtuesit të automjetit dhe shokut të tij. Berlini gjatë gjithë natës ka përjetuar ndërkaq një gjendje të ngjashme me shtetrrethimin, ku mbizotëronte paniku dhe frika. Nëpër rrjetet sociale qarkullonte pa pushim vendi i sulmit, ku dukeshin njolla gjaku e sende vetjake të lëna nga njerëzit në rrëmujë e sipër. Tensioni u shtua edhe më tej pas lajmit se sulmin e ka marrë përsipër Shteti Islamik. Pas ngjarjes, ambasada shqiptare në Berlin ka vënë në dispozicion edhe një numër emergjence për t’ju përgjigjur nevojave të qytetarëve shqiptarë në Gjermani si dhe ka kërkuar nga qytetarët shqiptarë të ndjekin njoftimet e ambasades në Twiter dhe facebook. Të njëjtën gjë ka bërë edhe ambasada e Kosovës.

Sicred