14 persona kanë humbur jetën gjatë një sulmi të ndërmarrë ndaj një baze ajrore të qeverisë siriane, e quajtur baza T4 ose sic njihet ndryshe aeroporti Tijas, që shtrihet në provincën Homs në qendër të vendit. Sipas Observatorit sirian për të drejtat e njeriut, një organizatë me seli në Britaninë e madhe që monitoron luftën në Siri, forca nga aleatët e regjimit të Asad, si Rusia dhe Irani, si dhe luftëtarë nga grupi libanez Hezbollah, kanë prezencë në bazën ushtarake në fjalë. Observatori Sirian, i cili ka një rrjet të gjerë burimesh, u shpreh se nuk mund të konfirmonte se kush e ndërmorri sulmin ndaj Bazës T4. Ndërkohë, Rusia dhe qeveria siriane kanë fajësuar izraelin për sulmin. Izraeli, i cili ka qëlluar më parë shenjestra siriane, nuk i ka komuentuar këto akuza deri tani. Fillimisht, Siria u shpreh se dyshonte se SHBA-të ishin përgjegjëse për sulmin. Incidenti erdhi pas alarmit ndërkombëtar në lidhje me një sulm të pretenduar kimik në qytetin Duma që kontrollohej nga rebelët e opozitës siriane. SHBA-të dhe Franca kanë kërcënuar se do t’i kundërpërgjigjen sulmit në Duma, qytet që ndodhet në krahinën e Gutës Lindore, afër kryeqytetit Damask. Presidenti amerikan Donald Tramp u shpreh se do të paguhej një çmim i madh për sulmin dhe e cilësoi presdientin sirian Bashar AL Asad si Kafshë. Ndërkohë, janë dorëzuar edhe luftëtarët e fundit rebelë në Duma, të cilët po largohen nga enklava pas arritjes së një marrëveshjeje me qeverinë e vendit të tyre.