KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Stërvitje ushtarake mbarëkombëtare këtë fundjavë në Venezuelë
maduro, Stërvitje ushtarake, mbarëkombëtare, këtë fundjavë, në Venezuelë

Stërvitje ushtarake mbarëkombëtare këtë fundjavë në Venezuelë

Në përgjigje të paralajmërimit të Presidentit amerikan Donald Tramp për një opsion të mundshëm ushtarak për zgjidhjen e krizës në Venezuelë, qeveria e këtij vendi mbajti këtë fundjavë një stërvitje ushtarake kombëtare, ku u thirrën edhe civilët për t’iu bashkuar njësive rezervë. Presidenti Tramp e bëri paralajmërimin e tij dy javë më parë dhe të premten që lamë pas ai nënshkroi një urdhër që ndalon marrëveshjet e reja të borxhit me qeverinë venezueliane apo kompaninë e saj e naftës, një lëvizje kjo që pritet të ndërpresë financimet që sipas Tramp furnizojnë diktaturën e presidentit venezuelian Maduro. “Në kundërpërgjigje të kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara, të gjithë qytetarët e Venezuelës të moshës nga 18 deri në 60 vjec kërkohen të kontribuojnë në mbrojtjen e vendit”, ishte njoftimi i publikuar mëngjesin e së shtunës në teleivzionin shtetëror. Presidenti Maduro e ka përdorur kërcënimin e Tramp për të fuqizuar bazën e tij politike, ndërsa janë publikuar pamje të civilëve të armatosur të cilët mësojnë si të luftojnë. Qeveria venezueliane gjithashtu ka krijuar hashtagun “është koha të Mbrojmë Vendlindjen” për të promovuar stërvitjen ushtarake. Pamjet e publikuara në televizion tregojnë qytetarë të rinj e të vjetër që regjistrohen në qëndrat e rezervistëve të ushtrisë. Por nuk ka patur prova që të tregojnë se regjistrimet kanë shkuar përtej të punësuarve të qeverisë së Maduros. Stërvitja ushtarake vijon edhe këtë të dielë.

Sicred