KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Stephen Paddock, autori i masakrës së Las Vegasit
Ende i paqartë motivi i masakrës në Las Vegas

Stephen Paddock, autori i masakrës së Las Vegasit

Autori i sulmit në Las Vegas, që shkaktoi 50 të vdekur e mbi 200 të plagosur, është identifikuar si Stephen Paddock, 64 vjeç dhe banor i zonës. Gruaja me të cilën ai bashkëjetonte, Marilou Danley është ndaluar e po merret në pyetje, ndërsa banesa që ndanin të dy është duke u kontrolluar nga efektivët në terren.
Numri i viktimave, që gjithsesi policia e përkufizon si të përkohshëm, e ka kthyer që tani këtë masakër, në më të rëndën në historinë e vrasjeve masive në SHBA, duke eklipsuar episodin me 49 të vdekur në klubin e natës në Orlando të Floridës.
Incidenti që tronditi qytetin e kazinove ndodhi në afërsi të hotelit “Mandalay Bay”, e videot e ngarkuara në internet tregojnë qartë tmerrin e përjetuar nga njerëzit e mbledhur në koncertin e hapur të muzikës “country”, kur mbi turmën u hap zjarr. Të shtënat ishin ato të një arme automatike dhe kanë vazhduar gjatë. Autori i sulmit ka qenë në katin e 32-të të hotelit dhe ka shtënë mbi turmën poshtë pa dallim e pa ndaluar. Forcat e policisë, që mbërriten me urgjencë në vendin e ngjarjes, i këshilluan njerëzit të largoheshin menjëherë prej andej. Policia po përpiqet të flasë me një mikeshë të të dyshuarit, një vajzë me origjinë aziatike e quajtur Marilou Danley. Vendndodhja e saj nuk dihet ende. Mes të vdekurve ka edhe disa policë që ishin jashtë shërbimit. Shumë hotele të zonës janë mbyllur, së bashku me një pjesë të bulevardit të Las Vegasit, ndërsa njerëzit e ndodhur aty në kohën e incidentit kanë gjetur strehim nëpër restorantet rreth e rrotull dhe aeroportin “McCarran”, ku për shkak të ngjarjes së rëndë disa fluturime janë devijuar.

Sicred