KRYEFAQJA » LAJME » Spital bashkiak apo qendër shëndetësore?!

Spital bashkiak apo qendër shëndetësore?!

Spitali i qytetit të Krumës që duhet t’u shërbeje afro 30 mijë banorëve të Hasit, por dhe disa fshatrave të Tropojes, ka mungesë të mjekëve specialistë, aparaturave për ekzaminime të ndryshme, por dhe bazës materiale. Autoambulancat janë të vjetruara dhe u mungojnë paisjet për transportimin e të sëmurëve. Pacientët në mungesë të këtyre shërbimeve detyrohen të udhëtojnë me kilometra drejt spitalit Rajonal të Kukësit apo edhe të Gjakovës. “Për shërbim më të specializuar jemi të detyruar të shkojmë në Kukës, Tiranë pasi nuk ka specialist kardiolog apo mjek kockash” shprehen pacientët.

Mjekët që shërbejnë në këtë spital, por dhe infermierët shpesh japin ndihmën e parë edhe jashtë profilit të tyre të punës: “Japim ndihmën e parë sa kemi mundësi dhe pastaj i referojmë spitalin rajonal të Kukësit që ka specialistë dhe shpesh herë bëjmë pjesën e specialistit. Kemi nevojë për mjekë specialistë si kardiolog, reomatolog pasi kemi mjaft raste që na paraqiten si dhe një sallë mikrokirurgjie” tha mjekja e përgjithshme Egi Muça.

Pas 44 vitesh, falë binjakëzimit me spitalin e Gjakovës, u bë e mundur që të ndërrohen 12 shtretër në këtë spital me vlerë 6 mijë euro, ndërsa më të ndjeshme janë donacionet e spitalit të Pejes: “Na kanë bërë disa dhurata mjeksore që nuk kanë qënë kurrë në spitalin e Krumes” tha drejtori i spitalit të Krumes Shkelzen Ibra.

Për plotësimin e nevojave me mjekë në spitalet bashkiake Ministria e Shëndetësisë do ndjekë të njëjtën politikë si me spitalet rajonale, patronazhim: “Nuk do të ketë mbyllje të spitaleve bashkiakë apo transformim të tyre përkundrazi spitaleve bashkiake do tu rritet niveli i cilësisë së shërbimeve që ato ofrojnë, këtë rrallë duke u patronazhuar nga spitalet rajonale” tha zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Sicred