KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Spanjë, shtohen kalimet e paligjshme të kufirit

Spanjë, shtohen kalimet e paligjshme të kufirit

Roja bregdetare spanjolle ka bërë të ditur se vetëm në një ditë ka shpëtuar rreth 600 migrantë që ishin nisur nga Maroku në kërkim të një jete më të mirë. Të shpëtuarit, përfshi edhe 35 fëmijë dhe një foshnje, ndodheshin në 15 mjete lundrimi, mes të cilave edhe varka me pedale.
Sipas OKB-së, më shumë se 9 mijë persona kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Spanjë këtë vit, shifër kjo tre herë më e lartë se vitin e shkuar. Më shumë se 120 persona besohet se janë mbytur gjatë udhëtimit për në gadishullin hispanik. Numri i kalimeve të paligjshme nga deti për në atë vend ia kalon edhe Greqisë për këtë vit. Shumë migrantë lundrojnë përmes Ngushticës se Gjibraltarit dhe zgjedhin mënyra të lira sic janë edhe varkat me pedale pa motorr, cka u mundëson atyre të shmangin trafikantët dhe tarifat e tyre.
Disa migrantë përdorin mediat sociale për të kontaktuar me autoritetet spanjolle, duke i informuar ata për vendondodhjen e tyre sapo janë në ujerat territoriale të Spanjës.
Megjithatë, një numër akoma më i lartë migrantësh, rreth 100 mijë, lundrojnë nga Libia për në Itali. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, 2242 persona kanë humbur jetën në atë rrugë. Në muajin qershor, 5 mijë persona u shpëtuan vetëm në një ditë nga rojet bregdetare italiane. Numri i migrantëve që hyjnë në Spanjë përmes detit, nuk përshin ata që përdorin enklavat spanjolle të Cuta-s dhe Melilla-s në Afrikën veriore, të cilat janë të vetmet territore tokësore europiane në kufi me Afrikën.