KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Spanjë, gjykata tërheq urdhërarrestin për Puixhdemon

Spanjë, gjykata tërheq urdhërarrestin për Puixhdemon

Gjykata Supreme e Spanjës ka tërhequr urdhërarrestin europian të lëshuar ndaj ish presidentit katalanas Karlos Puixhdemon dhe pesë ndihmësve të tij që vijojnë të jenë jashtë territorit të vendit. Vendimi i Gjykatës së Spanjës pasoi atë të marrë më herët nga një gjykatë rajonale gjermane, spas të cilës Puixhdemon nuk mund të ekstradohej për t’u përballur me akuzat e rebelimit të ngritura ndaj tij. Rebelimi është edhe akuza më e rëndë e ngritur ndaj Puixhdemon. Por gjithsesi akuzat ndaj gjashtë separatistëve katalanas qëndrojnë, ç’ka do të thotë se ata mund të arrestohen nëse kthehen në Spanjë. Gjykata gjermane u shpreh se Puixhdemont mund të ekstradohet për akuzën e keqpërdorimit të fondeve publike, por jo për rebelim apo për kryengritje. Ndërkohë gjykatësi i lartë spanjoll, Pablo Llarena, tha se duke vepruar kështu, gjykata gjermane tregoi një “mungesë angazhimi” me rastin dhe shkeli rregullat e urdhër-arrestit. Ai e akuzoi atë për minimin e kompetencave të gjykatës supreme spanjolle. Spanja e deklaroi të jashtëligjshëm referendumin e pavarësisë që u mbajt në Katalonjë në tetor të vitit të shkuar, ashtu sic e konsideron të paligjshme edhe deklaratën e shpalljes së pavarësisë. Puixhdemont u largua për në Belgjikë për tu zhvendosur më pas në në Gjermani, ku po lufton kundër ekstradimit.

Sicred