KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Spanjë, arrestohen udhëheqës të shoqërisë civile në Katalonjë

Spanjë, arrestohen udhëheqës të shoqërisë civile në Katalonjë

Autoritetet spanjolle kanë arrestuar dy liderë të shoqërisë civile në Katalonjë pasi akuzohen për kryengritje. Për këtë ngjarje ka reaguar presidenti i rajonit autonom, Karls Puixhdemon i cili tha se janë rikthyer burgosjet politike në Katalonjë. “Spanja ka burgosur dy liderë të shoqërisë civile të Katalonjës pasi kanë organizuar manifestime paqësore. Për fat të keq janë rikthyer përsëri burgosjet politike”. Në këtë mënyrë presidenti i Katalonjës, Karles Puixhdemon ka reaguar me anë të një mesazhi në tuiter për arrestim e Zhordi Sançes, president i Asamblesë Nacionale të Katalonjës dhe Zhordi Kuiksart, drejtues i shoqatës kulturore “Omnium”. Urdhëri për arrestimin e dy liderëve separatist është dhënë nga gjykatësja Karmen Lamela. Krerët e dy shoqatave të mëdha pro pavarësisë të shoqërisë civile të Katalonjës akuzohen për kryengritje lidhur me manifestimet në Barcelonë me 20 dhe 21 shtator. Në këtë mënyrë gjykatësja ka marrë në shqyrtim kërkesën e prokurorisë.
Ndërkohë, protesta spontane janë zhvilluar në qytete të ndryshme të Katalonjës pas shpërndarjes së lajmi për arrestimin e dy liderëve. Zëdhënësi i qeverisë separatiste katalane e ka cilësuar këtë ngjarje si “provokim nga shteti spanjoll”. Sipas këtij të fundit, dy liderët e arrestuar nuk kanë bërë gjë tjetër përveç se kanë lëshuar deklarata paqësore për manifestuesit në Katalonjë.

Sicred