KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sot oferta Brazil – Belgjikë, një gol – një birrë!

Sot oferta Brazil – Belgjikë, një gol – një birrë!

Natyrisht një Kampionat Botëror është një mundësi e mirë për të bërë biznes dhe bizneseve nuk u munguar fantazia për ta shfrytëzuar atë që të tërheqin sa më shumë klientë. I tillë është një bar belg në Rio De Zhaneiro në Brazil, i cili u ka bërë klientëve një ofertë interesante që kur nisi “Rusi 2018”. Ata do të përfitonin një birrë falas sa herë që Brazili dhe Belgjika shënonin një gol. Por për ironi të fatit, klientët e këtij bari modest që mban deri në 40 vetë sot kanë mundësi të përfitojnë dyfish, pasi Brazili përballet me Belgjikën në çerekfinalen e dytë dhe çdo gol vlen një birrë falas. “E kemi patur këtë ofertë gjatë gjithë Botërorit, që për çdo ndeshje të Belgjikës apo të Brazilit, ofronim një birrë falas, por kjo e së premtes është një ditë e veçantë, – thotë administratori Aleksandre Binard. – Megjithatë, ne i kemi marrë masat, pasi kemi marrë 20 fuçi birre, me nga 25 litra secila, kështu besoj se do të na mjaftojë.” Sido që të shkojë ndeshja, thotë ai, festa nuk do të mungojë. “Shpresoj, mbi të gjitha, që të krijohet një atmosferë e mirë, – thotë Binardi. – Nëse Belgjika fiton, do të bëhet festë, nëse Brazili fiton, prapë do të bëhet festë, kështu që kjo është e mirë.” Interesant është fakti se birra do të jetë gjermane, pasi ajo belge ishte shumë e shtrenjtë për t’u importuar. Ndërsa bari ka shtuar edhe një WC portative, për të shmangurr radhët e gjata për t’iu përgjigjur thirrjes së natyrës.