KRYEFAQJA » LAJME » SOT NË RTSH, RUSI-MEKSIKË DHE ZELANDË E RE-PORTUGALI

SOT NË RTSH, RUSI-MEKSIKË DHE ZELANDË E RE-PORTUGALI

Ishte theksuar që në fillim se Rusia do ta përdorte Kupën e Konfederatave si banko-provë në dy aspekte, atë sportiv, për ndërtimin e një skuadre të denjë për Botërorin e 2018-s, por edhe atë organizativ, për të provuar aftësitë e saj si mikpritëse vitin e ardhshëm, të festivalit më të madh futbollistik në rruzull. Megjithatë, pas asaj fitoreje 2-0 ndaj Zelandës së Re dhe barazimit 2-2 midis Meksikës dhe Portugalisë, ndezi shpresat e vendasve për një vend në gjysmëfinale. Por ajo humbje minimale përballë një Portugalie pragmatiste dhe cinike, që nxorri në pah, në anën tjetër, një Rusi të zbehtë dhe konfuze, i ka hapur shumë punë trajnerit Çerçesov, sidomos për ndeshjen e së shtunës me Meksikën, e cila ka dëshmuar se, si një veterane me përvojë në Kupën e Konfederatave, ka ardhur në këtë veprimtari duke e synuar trofeun e fituar që para 18 vjetësh. Meksikanët u treguan të paepur dhe guximtarë në sfidën e parë të tyre, kur barazuan 2-2 në minutat shtesë me Portugalinë, në një sfidë ku iu desh të kapërcenin dy herë pësimin e një goli për të marrë një pikë të vyer. E njëjta tablo ishte edhe në ndeshjen e dytë me modestët e Zelandës së Re, ku Meksika e mbylli pjesën e parë në disavantazh të një goli, për të shënuar dy herë në të dytën dhe për të marrë 3 pikët që e çojnë edhe më pranë gjysmëfinaleve. Ndërkohë që për meksikanët edhe një barazim do të nënkuptonte kualifikim përballë Rusisë, për përfaqësuesen vendase alternativa e vetme është fitorja, ose ndjekja e pjesës tjetër të Kupës së Konfederatave nga televizori.

Me njërën këmbë që tani në gjysmëfinale, Portugalia do të synojë ta vulosë vendin e saj në 4-shen e më të mirave të Kupës së Konfederatave, kur të përballet të shtunën në Stadiumin e Shën Pjetërburgut me Zelandën e Re tashmë të eliminuar. Kampionia e Oqeanisë është ende në kërkim të një fitoreje në një fazë finale të një veprimtarie të FIFA-s dhe pritet të dalë në fushë me të njëjtën vendosmëri dhe intensitet që shpalosën në ndeshjen e fundit, atë humbje 1-2 me Meksikën. Skuadra e trajnerit Entoni Hadson pritet t’i qëndrojë besnike filozofisë së lojës sulmuese dhe ushtrimit të trysnisë ndaj kundërshtarit, sikundër bëri në atë paraqitje të shkëlqyer përtej humbjes me Meksikën, ndonëse përballë do të ketë një skuadër edhe më të talentuar portugeze. Në anën tjetër, kur i nevojitet vetëm një barazim për të kaluar në gjysmëfinale, trajneri Fernando Santos ka shansin për t’i lënë pushim një numër të konsiderueshëm të titullarëve të Portugalisë për ndeshjen nga Zelandës së Re. has the luxury of being able to rest key players against New Zealand. Por kjo nuk do të thotë se veterani i stolit portugez po i nënvlerëson neozelandezët, pasi pritet një fillim i ndeshjes në mbrojtje i tyre, ndërsa kampionia e Evropës do të shpresojë tek talenti vetjak dhe loja e shpejtë për ta thyer kundërshtarin. Bernardo Silva do të ketë mundësi të lëvizë lirshëm për Portugalinë, ndërsa ka shumë gjasa që Kristiano Ronaldo të lihet pushim, një lajm mjaft i mirë ky për neozelandezët.

Sicred