KRYEFAQJA » LAJME » Sot Kukësi-Partizani, drejtpërdrejt në RTSH
Sot, Kukësi, Partizani, drejtpërdrejt në RTSH

Sot Kukësi-Partizani, drejtpërdrejt në RTSH

Java e 10-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që është edhe java e parë e fazës së dytë, ul sot siparin me dy ndeshjet e fundit, që luhen të dyja pasdreke. Takimi më i spikatur i javës, Kukësi-Partizani, i cili luhet në stadiumin “Zeqir Ymeri”, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Për trajnerin e Kukësit, Mlladen Milinkoviç, kjo është një sfidë që, përtej krizës së po kalon kundërshtari, duhet përdorur si një mundësi për të kapërcyer ngërçi e rezultateve që po përjeton vetë skuadra e tij. Ndërkohë, ndonëse nuk e përkufizon qartësisht, edhe vetë trajneri Milinkoviç e ka pranuar se ndeshja me Partizani mund të jetë shansi i fundit i tij në stolin e kampionëve në fuqi. Nga ana tjetër, edhe Partizani po kalon një periudhë të vështirë, pas shkarkimit të trajnerit italian, Mark Juliano, dhe humbjes me Laçin javën e shkuar, tanimë nën drejtimin e një “njohjeje të vjetër” si Sulejman Starova. Kukësi mban vendin e 3-të, me 19 pikë, por mund të shkurtojë largësinë prej 8 pikësh që e ndan nga Skënderbeu kryesues, që u ndal të dielën nga Kamza në një barazim 1-1 në fushën e vet. Ndërsa Partizani renditet i 7-ti, me 11 pikë të marra në këto 9 javë të para. Ndërkohë që verilindorët vijnë pas 3 barazimesh radhazi, të kuqtë kryeqytetas vijnë në sfidën e sotme pas 3 humbjesh radhazi. Takimi tjetër që luhet sot pasdreke është ai midis Luftëtarit dhe Laçit, që luhet gjithashtu duke nisur nga ora 14:00.

 

Sicred