KRYEFAQJA » LAJME » Sonte në RTSH, Kamerun-Australi dhe Gjermani-Kili

Sonte në RTSH, Kamerun-Australi dhe Gjermani-Kili

Kupa e Konfederatave 2017 vijon të enjten me ndeshjet e dyta dhe në fushën e blertë do të zbresin 4 skuadrat e grupit B. Në atë që është dueli i humbësve të ndeshjeve të para, Kameruni dhe Australia përballen me njëra-tjetrën duke synuar të ringjallin shpresat e tyre për kualifikim nga një grup që, siç u dëshmua edhe nga rezultatet, do të ishte i vështirë. Kampionia e Afrikës dhe ajo e Azisë zbresin në fushën e blertë të të Stadiumit të Shën Pjetërburgut në atë që është ndeshja e parë midis tyre dhe të dy trajnerët kanë reaguar pas humbjeve në sfidat e para, duke bërë një rifreskim të skuadrave me gjak të ri. “I zhgënjyer me rezultatin, por i kënaqur me paraqitjen”, ishte shprehur trajneri i Kamerunit, Hugo Broos, pas humbjes 0-2 me Kilin, çka tregon se ai do ta ruajë në një masë të madhe 11-shin e parë që aktivizoi ndaj amerikanolatinëve. Në anën tjetër, Australia shkon në sfidën me afrikanët pas një paraqitjeje me të mira dhe të këqija përballë Gjermanisë. Çfarëdolloj ndryshimi që australianët do të bëjnë, ata duket se do t’i mbeten besnik mendësisë së tyre pozitive dhe proaktive. Ajo që trajneri Ange Postecoglu do të kërkojë të korrigjojë nga humbja 2-3 me gjermanët është pësimi i golave shumë shpejt dhe vuajtja për të rifituar kontrollin e topit. Ndeshja midis Kamerunit dhe Australisë do të luhet duke nisur nga ora 17:00 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Rrjetin e RTSH-së.

Ndeshja tjetër e së mërkurës, e vlefshme për grupin B, vë përballë dy skuadrat që i fituan ndeshjet e para, ku Gjermania eksperimentale u mjaftua me një fitore 3-2 ndaj Australisë, ndërsa Kili dominoi, por vuajti deri në fund për të thyer Kamerunin me rezultatin 3-2. Ndonëse ata në kampin gjerman pajtohen se skuadra e tyre e nisi mirë Kupën e Konfederatave, prapëseprapë kishte disa hapësira të pazakonta në mbrojtje, që natyrisht Kili do të dëshironte t’i shfrytëzonte. Për rrjedhojë, trajneri Joakim Lëv pritet të rikthehet tek një mbrojtje me 4 përballë një kundërshtari të fortë, një formacion ky i njohur për shumicën e lojtarëve në klubet e tyre. Përballja me amerikanolatinët do të jetë një sprovë e fortë për këtë skuadër të re gjermane dhe praktikisht lloji i sfidës për të cilën kishin shpresuar trajneri dhe lojtarët e tij. Katër herë kampionët e botës mund të sigurojnë që të enjten vendin në gjysmëfinale, me një fitore kundër Kilit, por kjo nuk do të jetë edhe aq e lehtë. Amerikanolatinët mund të presin një lojë më të hapur me Gjermaninë, sesa ç’ishte në ndeshjen e parë me Kamerunin. Të dyja skuadrat do të kërkojnë të marrin kontrollin e topit dhe ta vënë sa më shpejt nën presion kundërshtarin. Por, në krahun tjetër, kjo do të krijojë edhe hapësira për t’u shfrytëzuar nga lojtarë të veçantë, ndërsa duket se çelësi i suksesit në këtë përballje do të jetë aftësia për të ushtruar trysni, shmangia e gabimeve dhe luajtja me topa të zgjuar nga mbrojtja. Gjermania mund të marrë zemër se 3 përballjet e deritanishme me kampionen e Amerikës së Jugut, të tria në kuaëdr të Botërorëve, që mga 1962-shi e deri më 1982-shin, janë fituar nga evropianët, të cilët triumfuan edhe në miqësoren e 2014-ës.

Sicred