KRYEFAQJA » LAJME » Skënderbeu, me sytë nga arbitrazhi i Lozanës

Skënderbeu, me sytë nga arbitrazhi i Lozanës

Të enjten është zhvilluar seanca dëgjimore në Komisionin e Apelit pranë UEFA-s, lidhur me dënimin disiplinor ndaj Klubit të Futbollit “Skënderbeu”, me përjashtim për një periudhë 10-vjeçare nga veprimtaritë evropiane dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën 1 milion euro nga komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të organizmit që qeveris topkëmbën kontinentale. Kjo seancë dëgjimore ka zgjatur mbi 6 orë dhe, përveç presidentit të klubit, Ardjan Takaj, përballë Komisionit të UEFA-s kanë dëshmuar edhe futbollistët Sabien Lilaj, Bakari Nimaga, ish-kapiteni Bledi Shkëmbi, sot trajneri i Lirisë së Prizrenit; Bernard Berisha, sot lojtar i Groznit në kampionatin rus; si dhe Liridon Latifi, sot lojtar i Akademisë Pushkash në Hungari.

Në orët e mbrëmjes, klubi korçar ka dalë me një deklaratë për shtyp, të afishuar në profilin zyrtar të klubit në rrjetin social “Facebook”, ku thekson se “përfaqësuesit e tij ligjorë, kanë argumentuar sërish para trupave gjykuese të UEFA-s mospërfshirjen dhe pafajësinë e plotë të Skënderbeut në veprimtaritë e pretenduara nga Inspektorët e Disiplinës të UEFA-s”. “Në seancën e zhvilluar sot në Lozanë, para panelit kanë dëshmuar pjestarë të stafit drejtues, lojtarë aktualë dhe ish lojtarë të Skënderbeut, të cilët kanë mohuar kategorikisht akuzat e ngritura nga inspektorët e UEFA-s”, – sqaron më tej klubi që kryeson bindshëm Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.

Megjithatë, duket se korçarët nuk kanë besim tek një vendim pozitiv i Apelit të  UEFA-s, që pritet të shpallet në ditët në vijim, duke i varur shpresat tek KAS-i i Lozanës. “Duke marrë në konsideratë ekzistencën e një marrëdhënie institucionale ndërmjet organeve gjykuese, Klubi i Futbollit “Skënderbeu” rikonfirmon edhe njëherë mosbesimin për drejtësi në këtë fazë fillestare të proçesit dhe shprehim edhe njëherë bindjen e plotë se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët tanë do të japë rezultatet e pritura në CAS, (Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv)”, – përfundon deklarata për shtyp e klubit korçar.

Sicred