KRYEFAQJA » LAJME » Situatë e rënduar nga rreshjet dhe përmbytjet

Situatë e rënduar nga rreshjet dhe përmbytjet

Reshjet e dendura të fundjavës dhe prurjet nga malet e Pindit në Greqi, sollën dhe fryrjen e lumit Vjosa. Në disa zona të Vlorës dhe Fierit, lumi ka dalë nga shtrati dhe ujrat kanë nisur të hyjnë nëpër banesa. Gjatë mesnatës dhe mëngjesit janë kryer evakuime në banesat më të rrezikuara. Deri në këto momente, 7 banesa janë nën ujë në Novoselë e Bishan, ku ka nisur evakuimin dhe largimi i gjësë së gjallë. Në Novoselë, Forcat e Armatosura dhe policia e rendit kanë evakuuar 17 familje.
Në total, në qarqet Fier dhe Vlorë, nga FA janë agazhuar 150 efektivë dhe 15 mjete për evakuimin e personave dhe të bagëtive. Prefekti i Vlorës shprehet se mund të jemi para së njëjtës situatë si në dhjetor, kur uji përmbyti sipërfaqe të tëra. Niveli i Vjosës është afër kuotave maksimale të përmbytjeve.
Edhe në Elbasan lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati pranë Urës së Rrogozhinës dhe Çermës.
Edhe Lumi Ishëm ka kaluar shtratin gjatë natës së kaluar. Për pasojë janë përmbytur disa qindra hektarë tokë si dhe mbi 80 banesa janë të rrethuara nga uji. 35 prej këtyre banesave janë të izoluara totalisht dhe në 10 prej tyre uji ka hyre brenda. Është hera e dytë në harkun kohor të dy muajve që fshtrat Bilaj, Murqine, Mallkuç, Likmetë pësojnë përmbytje shkatërruese, ndërsa është hera e pestë që përmbyten brenda një viti.
Situatë e vështirë paraqitet edhe në Berat, ku lumi Osum sërish rrezikon lagjen muzeale Goricë. Lumi ka arritur pikën kritike në fshatin Moravë në Otllak si dhe në lagjen “Dafinat” në Urën Vajgurore. Autoritetet janë në gadishmëri duke evakuar banorët e rrezikuar ndërsa e vetmja shpresë për normalizimin e situatës është ndalimi i reshjeve dhe qetësimi i ujërave.

Sicred