KRYEFAQJA » LAJME » Situata e reshjeve të dëborës në vend

Situata e reshjeve të dëborës në vend

Edhe gjatë ditës së sotme në zonat malore të qarkut Shkodër vazhdojnë reshjet e dëbores, ku si pasojë mbeten të pakalueshme segmentet rrugore Qafë-Thore-Theth, Selcë – Vermosh, ku trashësia e dëbores arrin në gjysëm metri, Shosh-Shale mbi 30 cm dëborë, Qafe Shllak- Qafë Mali, mbi 40 cm dëbore dhe rruga Muri Turkut – Cukal, me mbi 30 cm dëborë. Akse të kalueshme me zinxhire janë Gropat e Selces-Vermosh, Qafë Mali dhe Qafë Mali –Dardhe –Fierzë. Pa energji elektrike vazhdojnë të jenë fshatrat e Njësive Shosh, Shalë, Theth dhe Pult, sepse ka këputje të linjave nga era. Në Njësinë Administrative Pult është dëmtuar plotësisht dhe Ura prej druri që lidh fshatrat Mgulle dhe Poge. Edhe në Bashkinë Fushë Arrës për shkak të bores ka problematika në qarkullim, furnizim me energji elektrike dhe ujë. Në disa fshatra të Njësive Administrative Iballe, Fierze, Blerim dhe Qafë-Mali nuk ka pasur energji elektrike. Janë dëmtuar disa ura këmbësore, ujësjellësi i fshatit Iballe dhe pjesërisht ai i fshatit Dardhë. Edhe në Qarkun e Kukësit gjatë orëve të para të mengjesit të sotem ka patur reshje dëbore mbi lartësinë 800 m. Në qytetin e Kukësit trashësia e saj është afro 5 cm, ndërsa në rajonin e Qafe Shllakut dhe Valbonë lartësia e saj aktualisht është 30 cm. Sipas informacioneve të marra nga strukturat e emergjencave civile në tre bashkitë, të gjitha akset rrugore që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë të qarkullueshme pa zinxhirë. I gjithë Qarku është furnizuar me energji elektrike me përjashtim të fshatit Brisë të Njësisë Administrative Lekbibaj me 15 abonentë. Proçesi mësimor ka nisur në të gjithë Qarkun me përjashtim të Shkollës së Mesme të Bashkuar ,fshati Fshat,dhe shkollës së ciklit Ulët në fshatin Domaj.Temperaturat janë pozitive, duke shmangur kështu rrezikun e ngricave.

Sicred