KRYEFAQJA » LAJME » Përmbytjet, zvogëlohen sipërfaqet nën ujë

Përmbytjet, zvogëlohen sipërfaqet nën ujë

Situata e përmbytjeve vijon të mbetet e vështirë në Darzezë. Sipas informacionit të Shtabit të Emergjencave të Bashkisë Fier të gjitha forcat e ushtrisë dhe bashkisë janë përqëndruar në Darzezë pasi të gjitha ujërat kullojnë dhe grumbullohen në këtë fshat, aty ku ndodhet hidrovori. Ushtria po punon për të ndërtuar urën e dëmtuar një ditë më parë. Për të forcuar argjinaturën e lumit Vjosë në grykëderdhje të tij janë angazhuar me qindra forca dhe mjete. Kjo punë ka shmangur ndërkohë përmbytjet e banesave në Darzezë ndërsa në Hoxhare të Re në disa banesa, në tokat bujqësore si dhe në stane bagëtish ka prani të ujit. Ndërkohë lumi Vjosë është tërhequr që prej ditës së djeshme dhe vijon tërheqjen në shtratin e tij natyral. Rruga Levan-Mifol është e hapur që prej mesdites së ditës së djeshme. Megjithatë uji vijon të jete ende i pranishëm në gati 300 banesa të Ferrasit për shkak se ka mbetur në pasi nuk ka kanalizime. Situatë e tillë është e njëjtë edhe në Kashishte, Cerven, Hambar, Qarr, Martin, Bishan dhe Pish Poro. Rreth 5000 ha toke bujqësore janë ende në ujë dhe janë dëmtuar 100 ha sera në këtë zonë. Tani mbetet puna e komisioneve për vlerësimin e dëmeve në këtë zonë. Edhe në Novosele të Vlorës, pavarësisht tërheqjes së Vjoses rreth 560 hektarë tokë e dhjetëra banesa vijojnë të jenë nën ujë. Në Gjirokastër ka nisur puna për zhbllokimin e rrugëve që lidhin disa fshatra të Tepelenës dhe Përmetit me qendrën, ndërkohë pritet ardhja e specialistëve të ushtrisë për ndërtimin e katër urave tip beli në bashkinë e Dropullit.

Sicred