KRYEFAQJA » LAJME » Situata e përmbytjeve në vend
Shkodër, nis dezinfektimi në zonat e përmbytura

Situata e përmbytjeve në vend

Përmbytjet në Shkodër

Mëngjesi i së martës e ka gjetur të përkeqësuar situatën e përmbytjeve në bashkinë e Shkodrës ku reshjet e shiut vijojnë të bien ende. Siperfaqja e tokës nën ujë ka arritur në afro 4200 hektarë. Bashkia e Shkodrës njofton për 157 banesa të rrethuara nga uji, ndersa nëntë të përmbytura. Në periferi të qytetit, kampi i romëve pranë Prokurorisë Shkodër është i përmbytur. Bashkia Shkodër ka zhvendosur fëmijët në Qendrën Komunitare Nr. 4 dhe ka kërkuar ndihmën e Ushtrisë për të bërë evakuimin e të rriturve në strehimin përkatës në Bërdicë. Ministria e Mbrojtjes thotë se deri më tani janë evakuuar 5 familje me 23 banorë. Gjithashtu, janë transportuar nga fshati Obot për në Oblikë 65 banorë. Nga ana tjetër, shikohet një rrezik i argjinaturave dhe për këtë janë dërguar rreth 5000 thasë me rërë, të cilët po përdoren për forcimin e tyre.

Harta e përmbytjes është zgjeruar jo veçse në zonën e Nën Shkodrës por edhe në lagjet periferike të qytetit. Këtë mëngjes, lagjja “Ajasëm” poshtë kalasë Rozafa është zgjuar e përmbytur. Uji ka rrethuar edhe banesat duke izoluar kështu shumë familje, ndërsa në zonën e Livadeve në perferi të qytetit ka arritur në 110 hektarë sipërfaqja e tokes nën ujë ndërsa 40 banesa janë të izoluara nga uji. Që dje në bashkinë e Shkodres ka nisur marrja e masave për strehimin e familjeve që evakuohen nga zonat e përmbytura. Nga rezervat e shtetit janë sjellë në Shkodër qindra krevate portative dhe dhjetra çadra për strehimin e të shpërngulurve nga banesat. Përveçse në fshatin Obot që është izoluar prej disa ditësh problematika në qarkullim shfaqen sot edhe në segmentin rrugor Shkodër – Velipojë. Prania e madhe e ujit, ka bllokuar hyrjen e rrugës së Dajçit, duke paralizuar lëvizjen e automjeteve, transportin e arsimtareve në shkolla dhe stafit shëndetësor. Në të gjitha segmente e njësisë administrative të Dajçit lëvizja është e mundur vetëm nga mjetet e larta të ushtrisë që janë prej disa ditësh në terren në ndihmë të banorëve të këtyre zonave.

Lumi Ishëm del nga Shtrati

Dalja e lumit Ishëm nga shtrati, për të dytën herë brenda një jave, shkaktoi përmbytjen e afro 300 hektarëve tokë bujqësore në fshatrat e ultësirës perëndimore në rrethinat e Krujes dhe Durrësit. Edhe pse lumi u tërhoq në shtratin e tij, niveli i tij vazhdon të jetë i lartë dhe sipërfaqet e tokës së përmbytur arrijnë në 200 hektarë. Arsyeja e kësaj situate, sipas specialistëve është mospastrimi i kanaleve kulluese. Prej 25 vitesh këto kanale nuk janë pastruar por aty ka shtresëzime me mbetje të pafundme urbane. Rreth 25 banesa vazhdojnë të jenë të izoluara nga uji në Bubq, ndërsa ruga që i lidh këto banesa me pjesën tjetër të fshatit, e fundosur ujë, nuk mund të kalohet.

Divjakë

Reshjet e shumta të rëna në Remas te Divjakës, kanë shkaktuar përmbytje duke nxjerë nga tubacionet ujrat e zeza, të cilat kanë kanë pushtuar oborret e shumë banesave. Banorët thonë se uji i pijshëm nuk mund të pihet më pasi është i përzierë me fekale. Deri në mesditë nuk pati asnjë grup të emergjencave të bashkisë së Divjakës në ndihmë të këtyre banorëve. Përveç ndotjes së ujit banorët kanë izoluar dritaret me plastmas pasi një re e rëndë kundërmuese është përhapur në të gjithë zonën. Erën e rëndë që përhapet kudo. Këtë herë edhe shtëpia e kryeplakut të fshatit është përmbytur, por ai thotë se është prishur mjeti që kryen punën dhe derisa të rregullohet ujërat e zeza do të qëndrojnë nëpër rrugë e banesa. Në mungesë të ndërhyrjes së autoriteteve, tërheqja e ujit me motorrpompa nga vetë banorët, shihet si e vetmja mënyrë shpëtimi nga kjo situatë, edhe pse rreziku tjetër, ai i sëmundjeve infektive është kërcënimi më i madh për ta.

Korça

Rreshjet e shiut të rëna dje dhe sot, kanë rikthyer përmbytjet në fushën e Maliqit. Me shumë se 400 ha tokë janë nën pushtetin e ujit. 200 prej te cilave të mbjella me kulturat bujqësore të stinës. Sipërfaqet më të mëdha të tokave të përmbytura janë në fshatrat Koritë, Podgorie, Vreshtas, Sheqeras dhe Sovjan. Për autoritetet lokale përmbytjet kanë ardhur për shkak të intensitetit të lartë të rreshjeve dhe problemi i mostërheqjes si duhet të ujit në grykëderdhjen e lumit të Devollit, në Fshatin Goç. Për fermerët kulturat bujqësore janë te dëmtuara krejtësisht ndërkohë që për shkak të mos kullimit të sipërfaqeve të përmbytura do jetë e vështirë mbjellja e kulturave të tjera bujqësore.

Sicred