KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Siri, çlirohet Raka nga xhihadistët e shtetit islamik

Siri, çlirohet Raka nga xhihadistët e shtetit islamik

Në Raka të Sirisë ka ardhur momenti i festës, gëzimit dhe emocioneve. Tashmë qyteti konsiderohet krejtësisht i çliruar pas tre vitesh pushtimi nga kthetrat e Shtetit Islamik, që e kishin kthyer atë në kryeqendrën e tyre për Sirinë. Militantët e grupeve të armatosura kurde të Sirisë hynë të martën në zonat e fundit, që konsideroheshin nën kontrollin e xhihadistëve. Deri të dielën aty mendohej se qëndronin 300 militantët e fundit të Shtetit Islamik. Hyrja e militantëve kurdë kurorëzoi 5 muaj luftime për çlirimin e Rakës nga terroristët. Luftime që i kanë marrë jetën 3250 personave, mes të cilëve 1130 civilë. Ndihma kryesore, militantëve pro-perëndimorë iu dha nga bombardimet e forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe koalicionit të drejtuar prej saj. Qyteti është thuajse krejtësisht i shkretuar dhe rrafshuar. Vetëm 8 mijë njerëz vijojnë të jetojnë në këtë qytet, i cili që prej prillit është braktisur nga 270 mijë banorë. Hapi i parë pas çlirimit është heqja e minave që xhihadistët i kanë përhapur kudo. Dhe më pas përllogaritja e dëmeve, një proces pas të cilit me shpresë do të mund të flitet për rindërtim. Aleanca e mbështetur nga SHBA, mes kurdëve sirianë dhe luftëtarëve arabë kanë shpallur marrjen nën kontroll të plotë të të ashtuquajturit “kryeqytet” të Shtetit Islamik, Raka në Siri.

Sicred