KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Siri; Armëpushimi
siri, armepushim, bota

Siri; Armëpushimi

Armëpushimi i ri mbarëkombëtar mes forcave qeveritare dhe grupeve rebele në Siri po mban, pavarësisht përplasjeve të izoluara që u raportuan pas hyrjes së tij në fuqi mesnatën e së enjtes. Marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e Rusisë dhe të Turqisë përfshin një sërë grupesh të armatosura opozitare, por jo xhihadistë si ata të Shtetit Islamik. Nëse armepushimi do të rezistojë, atëherë muajin e ardhshëm në Kazakistan është parashikuar të mbahen bisedimet e paqes të drejtuara edhe këto nga Moska dhe Ankaraja. Pjesa me e madhe e Sirisë kaloi një natë të qetë, por sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut përleshje të ashpra mes rebelëve dhe trupave qeveritare u regjistruan në provincën veriore te Hama-s. Kreu i grupit të të drejtave të njeriut me seli në Londër, tha se grupe të vogla kryengritësish të armatosur po përpiqen të shkatërrojnë armëpushimin sepse praktikisht, ai i jep fund pranisë së tyre në vend. Të paktën 300 mijë persona besohet të jenë vrarë në luftimet që pasuan revoltën popullore kundër Bashar Al Assadit marsin e vitit 2011. Për shkak të konfliktit, 4 milionë sirianë kanë kërkuar strehim në vendet fqinje ose në shtetet e Europës.

Sicred