KRYEFAQJA » LAJME » “Sindroma e pushimeve verore”, një rreth vicioz

“Sindroma e pushimeve verore”, një rreth vicioz

Është bërë tashmë një traditë e keqe, që përsëritet si një rreth vicioz çdo sezon, duke dhënë në fund të njëjtat fryte, pa ndonjë shpresë për reflektim nga ana e protagonistëve. Bëhet fjalë për atë që mund të quhet si “sindroma e pushimeve verore” të futbollit shqiptar, atë hapësirën prej pak muajsh që ndan dy sezonet nga njëri-tjetri dhe që shërben edhe si kufiri ndarës midis lavdisë dhe përfitimit, por edhe turpit dhe zhgënjimit në Kupat e Evropës.
Nëse në vende të tjera të Evropës suksesi është fryt i një planifikimi të kujdesshëm dhe afatgjatë, në Shqipëri, klubet e futbollit e kërkojnë atë brenda pak javësh, duke bërë që shpesh, dhe afërmendsh, të mos e gjejnë, çka çon më pas në shtypjen e butonit të vetëshkatërrimit, për të ndërtuar gjithçka nga e para. Dhe e gjithë kjo ndodh në fare pak kohë.
Duke qenë se punojnë kryesisht me kontrata afatshkurtëra, 6-mujore apo njëvjeçare, por edhe për shkak të mosrespektimit të ndërsjellë të kontratave, klubet shqiptare të futbollit praktikisht e shpërbëjnë skuadrën në përfundim të sezonit. Po, sapo kanë nisur pushimet, 3-4 prej këtyre klubeve, kujtohen se kanë për të luajtur edhe në ndeshjet eliminatore të Kupave të Evropës. Pra, ajo që u shkatërrua në mesin apo 10-ditëshin e fundit të majit, duhet të rindërtohet për të qenë gati për fundin e qershorit apo fillimin e korrikut. Dhe kështu, ndërtohet shpesh një skuadër surrogato, e cila, mbase për meritë të trajnerit, siç ishte rasti i Besnik Prengës tek Laçi, apo mbase edhe për çështje fati, mund edhe ta kalojë një tur, po vetëm kaq.
E kështu, kjo skuadër e ndërtuar brenda pak javësh, prishet prapë dhe deri atëherë ka ardhur koha për të menduar për sezonin e ri, që është vetëm pak javë larg. Pra duhet ndërtuar sërish një skuadër tjetër, këtë radhë për sezonin e ri, ose të paktën që të mbajë deri në dhjetor, kur është edhe pushimi dimëror. Aty ku ndërtojnë sërish një skuadër të re deri në maj, për të vijuar më pas me qerthullin e zakonshëm të pushimeve verore. Gjithmonë me synimin madhor për të gjetur atë suksesin e jashtëzakoshëm, që si për çudi, na ikën gjithmonë nga duart, duke na lënë të ngushëllohemi me zhgënjimin e zakonshëm.

Sicred