KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Si të edukojmë fëmijët me kinema?

Si të edukojmë fëmijët me kinema?

Fëmijët e ditëve të sotme janë publiku i së ardhmes, ndaj kultivimi i tyre me art dhe kinema është detyrim i të gjithë atyre që vokacion kanë artin.
Kështu po ndodh me TIFF dhe Qendrën Kombëtare për fëmijë që kanë nisur një projekt të përbashkët i cili nxit femijët të shkojnë në kinema për të parë filma drejtuar atyre. TIFF përveçse në këtë edicion ka përcaktuar kategorinë KIDS (Fëmijët) po ashtu ka një ftesë të veçantë me projektin e festivalit simultan dhe ky edicion përfshin shfaqjen simultane në festival të dy filmave, Fado dhe Rafi më datë 10 dhe 11 Nëntor 2017, në Festivalin Europian të Filmit Cinedays dhe Festivalin Nderkombëtar të Filmit në Tiranë. “Menduan që të investojmë tek fëmijët se pse ata do të jenë e ardhmja. Kinemaja të jetë një trendi i tyre, jo thjesht për të kaluar kohën, por një mënyrë e mirë për të marrë informacion të kulturuar” thotë drejtori i TIFF Agron Domi. “Rafi është posaçërisht për fëmijët nga mosha 7-14 vjeç. Filmat janë të përkthyer në shqip dhe ne i kemi përzgjedhur pas jehonës së tyre” shton ai.
Aktorja Shegushe Bebeti, e cila jeten profesionale ua ka dedikuar femijeve, shprehet entuziaste pse Teatri i kukullave ka ndezur projektorin edhe për filmat për femijë. “Fakti që ky festival po zhvillohet në ambientin e Teatrit të Kukullave, mendoj se është shumë pozitiv, pasi një fëmijë që nuk ka ardhur asnjëherë në teatër dhe ndjek filmin nga televizori, duke ardhur këtu njihet edhe me teatrin, i nxitet fantazia, dëshira për të ndjekur këtë zhanër” thotë aktorja Bebeti.
Ndërkaq duket se TIFF e ka në prioritetet e veta krijimin e audiencave të reja. “Ky është fillimi i një projekti të madh në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare për Fëmijë. Ne do të shkojmë nëpër shkollat për tu njohur me shijet dhe preferencat e tyre dhe vitin tjetë të mundësojmë një xhiro të TIFF” thotë Agron Dobi.
Festivali simultan e vendos Tiranën në hartën e filmit dhe distribucionit të filmit europian duke testuar terrenin e shpërndarjes innovative që i ofron publikut zgjedhje në shikimin e prodhimeve cilësore europiane dhe fuqizon disa filma që përndryshe do të preknin vetëm disa shikues me fat të pranishëm në festivale. Dhe testi në këtë edicion do të kalohet përmes filmit për fëmijë “Rafi” dhe filmit për të rinj “Fado”, të dy prodhime shumë të sukseshme në Gjermani dhe në Hollandë.

Sicred