KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Shuhet profesori legjendar i kozmologjisë Stephen Hawking

Shuhet profesori legjendar i kozmologjisë Stephen Hawking

Stephen Hawking, shkencetari i shkëlqyer britanik i cili tejkaloi sëmundjen e tij që e mbante të paralizuar dhe publikoi libra të cilët u bënë popullore në gjithë botën duke u përpjekur të zbulojë disa mistere të universit, ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare. Hawking ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Kembrixh, në orët e para të së mërkurës. Lajmi u bë i ditur nga fëmijët e tij, Lusi, Robert dhe Tim. “Ai ishte një shkencëtar i madh dhe një njeri i jashtëzakonshëm, puna dhe trashëgimia e të cilit do të jetojë për shumë vite të tjera” u shprehën ata në një deklaratë për shtyp, duke vlerësuar kurajon, brilancën dhe humorin e tij që frymëzuan njerëzit në të gjithë botën.
I konsideruar nga shumë njerëz si një nga shkencëtarët botërore më të mëdhenj ende gjallë Hawking ishte gjithashtu kozmolog, astronom, matematicien dhe autor i një serie librash përfshi kryeveprën e tij “”Një histori e shkurtër e kohës””, e cila shiti me tepër se 10 milion kopje.
Se bashku me ndjekësin e tij fizikantin Roger Penrose, Hawking e thelloi më tutje teorinë e relativitetit të Anjshtainit me teorinë kuantike duke sugjeruar që hapësira dhe koha fillojne me Big Bangun dhe mbarojnë me vrimat e zeza. Hawking gjithashtu zbuloi se vrimat e zeza nuk ishin tërësisht të errëta, por përçojnë rrezatim dhe me shumë mundësi do të avullojnë dhe zhduken. Hawking vuante nga ALS ose skleroza anësore amiotrofike, një sëmundje neurodegjenerative, e pashërueshme. Ai u diagnostikua në vitin 1963 kur ishte vetëm 21 vjeç dhe doktorët i dhanë fillimisht vetëm pak vite jetë. Sëmundja e la atë në karrocë dhe të paralizuar dhe mund të fliste vetëm përmes një sintetizatori me një zë të kompjuterizuar. Ai thoshte: “Megjithese unë nuk mundem të lëviz dhe mund të flas vetëm nëpërmjet një kompjuteri, në mendjen time unë jam i lirë”.
Në vitin 2008, gjatë një ceremonie me rastin e 50 vjetorit të Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASA, ai bëri thirrje për fillimin e një epoke të re në eksplorimin e hapësirës prej njeriut, e krahasueshme, tha ai, me udhëtimet evropiane në “Botën e Re” më shumë se 500 vjet më parë.

Sicred