KRYEFAQJA » LAJME » Shuhet ish futbollisti Skender Hyka, ylli i Tiranës në vitet ’60 – ’70

Shuhet ish futbollisti Skender Hyka, ylli i Tiranës në vitet ’60 – ’70

Futbolli shqiptar ka përcjellë të premten për në banesën e fundit një prej figurave më të spikatura të tij në gjysmëshekullin e fundit. Ish-futbollisti i shquar i Tiranës, ish-shef i klubit bardheblu, ish-Sekretari i Përgjithshëm i FSHF dhe për 5 legjislatura i zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Skënder Hyka, është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.
Familjarë, të afërm, ish-bashkëkohës dhe ish-bashkëlojtarë, miq dhe dashamirës i kanë dhënë lamtumirën e fundit Hykës në ceremoninë e homazheve në nderim të tij, që është mbajtur të premten paradreke në mjediset e Stadiumit “Selman Stermasi” në kryeqytet.
Në këto homazhe ka qenë i pranishëm edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, por edhe drejtues të tjerë të organizmit që qeveris futbollin në vend, të cilat i kanë përcjellë ngushëllimet familjes Hyka.
Skënder Hyka, një ish-lojtar i shquar, drejtues klubi dhe mik e dashamirës i madh i futbollit, ka lërë pas kujtimin më të mirë, atë të një njeriu, që gjatë gjithë jetës së tij ju përkushtua futbollit, punoi dhe dha më të mirën për zhvillimin e tij. Kujtimin e një lojtari legjendë, të një drejtuesi të devotshëm dhe të një njeriu zemërgjerë dhe të ndershëm. Skënder Hyka, ishte një prej futbollistëve më të shquar të viteve 60-70, i cili ka spikatur me talentin dhe aftësinë e tij, duke u bërë i dashur për tifozët anë e mbanë Shqipërisë.

Sicred