KRYEFAQJA » LAJME » Shuhet Demaçi, simboli i rezistencës shqiptare në Kosovë
Shuhet Demaçi, simboli i rezistencës shqiptare në Kosovë

Shuhet Demaçi, simboli i rezistencës shqiptare në Kosovë

Simboli i rezistencës shqiptare në Kosovë, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ndërsa kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje dhe më pas ka ndërprerë punimet. Laureat i çmimit “Saharov”. Adem Demaçi është dënuar me njëzet e tetë vite burg në kohën e regjimit komunist në ish-Jugosllavisë. Gazetar, shkrimtar, politikan Demaçi ishte një aktivist i shquar për të drejtat e njeriut.

Politika kosovare ka shprehur hidhërimin e saj për humbjen e kësaj figure emblematike. “Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojnë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore” shkruajti presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Kadri Veseli tha se “vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë”.

“Prehu në paqe Baca Adem! Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd” shkruajti kryeministri Ramush Haradinaj në Fejsbuk.

Vdekja e Demaçit është pritur me hidhërim edhe në Shqipëri. “Patrioti Adem Demaçi mbetet frymëzim për të gjitha brezat e shqiptarëve, një shembull dhe një model kombëtar i skalitur në historinë e shqiptarëve dhe të luftës kombëtare për pavarësinë e Kosovës”, shkruan Presidenti Meta në Facebook.

Ndërsa për kryeministrin Edi Rama “Me vdekjen e Adem Demaçit mbyllet historia e jashtëzakonshme e një rebeli të llojit më të rrallë; shqiptar i llojit më të mirë, burrë i llojit më të veçantë, mik i llojit më të lartë”.

Për kreun e PD, Lulzim Basha “Adem Demaçi si një ndër simbolet e qëndresës kombëtare, mbetet përherë në kujtesën e kombit që përkulet me mirënjohje të thellë para sakrificës dhe kontributit të tij të pavdekshëm për Kosovën”.

Sicred