KRYEFAQJA » LAJME » Shtyhet marrëveshja për borxhin grek

Shtyhet marrëveshja për borxhin grek

Ka zgjatur më pak se dhjetë ditë optimizmi i Athinës zyrtare për një zgjidhje favorizuese në çështjen e borxhit publik. Pas takimit të Ministrave të Financave të Eurozones, me 22 maj ishte deklaruar se ata ndodheshin shumë afër një marrëveshje për borxhin grek, finalizimi i të cilës ishte shtyrë për takimin e radhës, me 15 qershor. Mirëpo deri tani, duket se nuk ka gjasa që ajo marrëveshje të arrihet, kryesisht për shkak të këmbënguljes së Berlinit për të mos pranuar asnjë reduktim të borxhit. Kjo situatë ka risjellë në skenë spekulimet për një pamundësi të Greqisë që të shlyeje bondet, të cilat maturohen në muajin korrik dhe që arrijnë në 7 miliardë euro. Në kohën që Ministri grek i Financave nuk i ka hapur krejtësisht letrat, revista gjermane ‘Der Shpigel’ shkruan se po zhvillohen negociata të ethshme në prapaskenë, pasi, nëse nuk do të ketë marrëveshje, Greqia gjendet në prag të falimentimit. Në korrik skadon afati i shlyerjes së bondeve me vlerë 7 miliardë euro. Gjithsesi, Ministri grek i Financave, Euklidis Tsakalotos, ka shprehur besimin se homologu i tij gjerman, Volfgang Shauble, do të jetë më konstruktiv në takimin e radhës të Eurogrupit, që do të mbahet me 15 qershor.

Sicred