KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria triumfon 3-2 në miqësoren me Turqinë

Shqipëria triumfon 3-2 në miqësoren me Turqinë

 

Kombëtarja kuqezi ka triumfuar me shifrat 3-2 në miqësoren e së hënës me Turqinë, të zhvilluar në Antalja dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Pjesa e parë ka nisur më mirë për vendasit, të cilët e zhvendosin lojën në gjysmëfushën kuqezi dhe nën ritmin e Çalhanollusë dhe Xhenk Tosunit, turqit do të ndërtojnë dhe do të shkojnë dëm raste të njëpasnjëshme për shënim. Ndërsa Shqipëria ka vetëm një gjysmërast për të përmendur, atë goditje nga larg, por të devijuar të Grezdës. Në krahun tjetër, gardianit të portës kuqezi i duhet të reagojë bukur për të neutralizuar një goditje të Tosunit. Është vetëm minuta e 22-të dhe Etrit Berisha po ka gjithnjë e më shumë punë dhe fillimisht do të detyrohet të grushtojë për një këndore një goditje të fuqishme të Xhenk Tosunit në hyrje të zonës, pastaj do të tregohet i saktë në pritje pas një goditjeje me kokë nga një këndore e turqve. Megjithatë, Shqipëria kundërpërgjigjet dhe menjëherë pas rasteve të turqve, Sadiku do të finalizojë me sukses një kundërsulm të bukur të kuqezinjve në minutën e 24-t, duke goditur saktësisht brenda zonës, duke e kapur në kundërkohë portierin vendas dhe duke përshëndetur rrjetën.
Loja do të bjerë në një kllapi, por, 6 minuta para fundit të pjesës së parë, sërish një kombinim midis Odise Roshit dhe Armando Sadikut sjell një tjetër gol, pasi harkimi i bukur i mesfushorit nga e djathta, i jep mundësi sulmuesit të godasë saktësisht me kokë dhe të mposhtë për herë të dytë brenda një çerek ore portierin turk.
Turqit mundohen të reagojnë menjëherë dhe është sërish Xhenk Tosun që rrezikon portën e Berishës, por topi kalon fare pranë shtyllës së majtë të gardianit kuqezi. Në minutën e 42-të, Memushaj merr kartonin e dytë të verdhë brenda vetëm 11 minutash, dhe del nga loja me karton të kuq. Me epërsinë dygolëshi të Kombëtares kuqezi mbyllen 45 minutat e para.
Pjesa e dytë nis me një gol të vendasve që shkurtojnë diferenën me anë të Xhengiz Ynderit.
Megjithatë, ndonëse me 10 lojtarë në fushën e blertë, kuqezinjtë nuk do të dorëzohen, por, përkundrazi, do të rikthejnë epërsinë dygolëshe, kur Grezda do të përshëndesë rrjetën e turqve në minutën e 55-të.
Të dy trajnerët kanë nisur valsin e ndërrimeve, që do t’u japin praktikisht të gjithë lojtarëve që kanë në dispozicion mundësinë për të luajtur sadopak minuta në këtë miqësore të Antalies. Sidoqoftë, turqit do të gjejnë edhe golin e dytë, në minutën e 60-të, kur Emre Akbaba do të finalizojë një aksion të bukur të vendasve dhe do të mposhtë Berishën.
Gjysëmora e mbetur do të shohë të dyja skuadrat të ndryshojnë shpesh skemat dhe rolet e lojtarëve në fushë, pasi trajnerët do të vazhdojnë të bëjnë ndërrime të njëpasnjëshme. Megjithatë ai që nuk do të ndryshojë është rezultatin dhe Shqipëria e mbyll vitin 2017 me një fitore 3-2 në këtë miqësore me Turqinë.

Sicred