KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria njeh kundërshtaret e “Eurobasket 2021”

Shqipëria njeh kundërshtaret e “Eurobasket 2021”

Përtej zhgënjimit në fazën paraeliminatore të Botërorit 2019 në basketboll për meshkuj, Shqipëria ka konfirmuar që prej disa javësh, pjesëmarrjen e saj në paraeleminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2021. Në grupin B të kësaj faze, Kombëtarja kuqezi do të përballet me Armeninë dhe Danimarkën. Ndeshja e parë do të luhet më 24 nëntor 2017, dhe ndeshjet e tjera do të luhen brenda shkurtit të vitit të ardhshëm.
Pak ditë më parë kombëtarja kuqezi e koshit e mbylli takimet e saj për Botërorin 2019 me një humbje të pazakontë, 37-113 përballë Holandës. Kjo ka çuar në dorëheqjen e trajnerit Antonis Konstantinides, por edhe në shpërthimin e një debati të gjerë sportiv mbi gjendjen e basketbollit dhe rrugët e daljes nga kjo gjendje.
Shqipëria e drejtuar nga trajneri qipriot i ka humbur të 4 ndeshjet që zhvilloi në kuadër të grupit B të paraeliminatoreve të Botërorit 2019, duke dështuar dy herë, si në Tiranë, ashtu edhe në fushë të huaj, përballë Austrisë dhe Holandës. Ajo regjistroi humbje me shifra që kishte shumë vite që nuk i pësonte.
Tanimë që janë njohur kundërshtaret, të cilat janë të një niveli të njëjtë, në mos edhe më të mirë sesa Austria dhe Holanda, pritet të mësohet edhe emri i trajnerit të ri të Kombëtares, pas largimit të trajnerit Konstantinides. Në një intervistë për Televizionin Shqiptar, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka theksuar se po shqyrton midis 5-6 kandidaturave dhe do të vendosë shumë shpejt për emrin e trajnerit të ri të Kombëtares.

Sicred