KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëri, bie gongu i zgjedhjeve
Shqipëri, bie gongu i zgjedhjeve

Shqipëri, bie gongu i zgjedhjeve

Në Shqipëri nisën zgjedhjet e përgjithshme, të 9-tat që nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991, kur shqiptarët nisën përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë. Ato mbahen pas një fushate që vlerësohet si më e qeta ndër të gjitha fushatat e nxehta dhe plot tension që Shqipëria ka njohur në dy dekada e gjysëm.
Gjatë 30 ditëve të fushatës, 18 parti nga i gjithë spektri politik shqiptar, i ranë kryq e tërthor vendit për të bindur zgjedhësit që të votojnë për ta më 25 qershor.
Të gjitha forcat politike kanë përzgjedhur në listat e tyre 2666 kandidatë, emra të njohur e të panjohur, por vetëm 140 prej tyre do të ulen në sallën e parlamentit shqiptar. Sistemi i zgjedhjeve në Shqipëri është proporcional sipas 12 qarqeve të vendit.
Në zgjedhje janë ftuar të votojnë rreth 3.452.000 shtetas, 136 mijë prej të cilëve do të votojnë për herë të parë.
Në të gjithë vendin janë  ngritur  5362 qendra votimi. KQZ ka shtypur rreth 3.5 milionë fleta votimit, si dhe fletët e votimit për zgjedhjet e parakohshme bashkiake në Kavajë. Në këtë bashki konkurojnë kandidatët e PS, PD dhe LSI.
KQZ bëri me dije se me 25 qershor ka akreditura gjithsej 5180 vëzhgues, numri më i madhe i vëzhguesve në zgjedhjet e zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Mbi 800 prej tyre janë vëzhgues të huaj. Këta të fundit do të paraqesin deklaratën e tyre paraprake pas zgjedhjeve në një konferencë për shtyp, të hënën më 26 qershor, në Tiranë.
Autoritetet shqiptare shpresojnë që ecuria e mirë e zgjedhjeve të 25 qershorit, zhvillimi i tyre sipas standarteve europiane dhe të pranuara nga të gjithë, të çojë në hapjen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë, ç’ka do të ndikojë në integrimin e shpejtë të vendit në Europë.

Sicred