KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria mundet 4-1 nga Ukraina

Shqipëria mundet 4-1 nga Ukraina

E çoroditur , pa vizion dhe e lodhur. Janë këto fjalët e duhura për të përshkruar Kombëtaren Shqiptare të futbollit jo vetëm në ndeshjen ndaj Ukrainës por dhe në atë ndaj Kosovës disa ditë më parë. Dy ndeshje të luajtura, 7 gola të pësuar dhe 1 i shënuar janë një tregues që Shqipëria e Panuccit është në rënie të lirë. Jo për shkak të mungesës së elementëve, por ndoshta Shqipëria po kthehet në fillimet e saj, larg kohës së lavdishme të De Biasit.

Dhe faktet janë ato që vërtetojnë më së miri këtë gjë. Një panoramë e shëmtuar dhe sfida e dytë miqësore e zhvilluar ndaj Ukrainës e humbur 4-1. Një humbje që mund të kishe qënë më e thellë nëse Berisha nuk do të kishte bërë disa pritje vendimtare. Shevchenko arriti të mposhtë Panuccin me lehtësi. Yarmolenko dhe Konoplyanka i treguan teknikut Italian se mbrojtja fut ujë. Dhe kjo u vërtetua në të katër golat e pësuar. Në rastin e parë ishte Konoplyanka që bën çfarë të dojë në zonën tonë dhe kalon të tijët në avantazh. Pa kaluar ende 5 minuta nga goli i pësuar, është rradha e Yarmolenkos që vallëzon brenda zonës për të shënuar golin e dytë për skuadrën e Shevchenkos. Dhe në mbyllje të pjesës së parë, është sërish Yarmolenko që tund rrjetën për herë të tretë.

Kuqezinjtë janë të demoralizuar, ecin në fushë dhe nuk krijojnë asnjë rast të rrezikshëm. Me fitoren në xhep, trajneri Ukrainës Shevchenko eksperimenton në formacion duke lënë hapësirë dhe për djem të rinj 18 vjecar si Shaparenko që e ka fare të lehtë të manovrojë me topin midis kuqezinjve. Nga ana tjetër Panucci nuk di cfarë të bëjë më. Zëvëndësime të dëshpëruara me Cikalleshin dhe Balajn që zunë vendin e Manaj dhe Roshit por dhe ata vetëm sa enden nëpër fushë. Në minutën e 83 është Berisha që shpëton kuqezinjtë nga goli i katërt, gol që nuk do të vonojë. Por fillimisht është Emanuele Ndoj që ngushton diferencën në minutën e 89 duke mposhtur portierin Lunin. Dhe pa kaluar 1 minutë lojë, sërisht mbrojtja tregon cenin e saj me Konoplyankan që e ka farë të lehtë të shënojë golin e dytë personal dhe të katërtin në këtë ndeshje për Ukrainën.

Mbyllet kështu me një tjetër humbje të thellë edhe miqësorja e dyte e kombëtares shqiptare te futbollit, e fundit përpara nisjes së Ligës së Kombeve në shtator. Ndoshta një dush i ftohtë do ti bënte mirë të gjithëve, përfshirë trajnerin Panucci, për të rikthyer sërisht dëshirën tek kuqezinjtë. Sepse më keq nuk ka ku të shkojë.

Sicred