KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria i jep lamtumirën e fundit “Dëshmorit të Atdheut” major Klodian Tanushi

Shqipëria i jep lamtumirën e fundit “Dëshmorit të Atdheut” major Klodian Tanushi

Mes dhimbjes së thellë Shqipëria i jep lamtumirën e fundit “Dëshmorit të Atdheut” major Klodian Tanushi. Ai humbi jetën pak ditë më parë në krye të detyrës bashkë me nëntetaren Zarife Hasanaj, gjatë një misioni ushtarak të NATO-s në Letoni.
Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar u mbajtën homazhet e rastit ku ishin të pranishëm familjarë, personalitete të larta shtetërore dhe banorë të Tiranës.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA Gjeneral Bardhyl Kollçaku duke folur në cermoninë e rastit, u shpreh i emocionuar. “Kemi humbur një vëlla në armë! Shërbimi i major Tanushit i shenjtë! Po të përcjellim në vendin e martirëve dhe të pavdekshmëve!” tha gjeneral Kollçaku.
Ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh me mirënjohje dhe krenari për “Dëshmorin e Atdheut”. “Përulemi me respekt para simbolit të sakrificës, Klodian Tanushi”. “Prehu në paqe heroi ynë” tha zonja Xhaçka.
Ndërsa kryeministri Edi Rama në fjalimin e lamtumirës në nderim të majorit, tha se ” Klodian Tanushi ishte me mision paqeruajtës dhe dha jetën e tij për të mos lejuar të humbnin të tjera”. ” Flamuri ynë kombëtar sërish mbështjell një hero” tha kryeministri Rama duke shtuar “Paqja ka një çmim! Bashkimi ka një vlerë”. “Jeta e këtyre dëshmorëve flet për dinjitetin dhe gjakun që nuk bëhet ujë” tha zoti Rama.
Arkivoli me trupin e dëshmorit, i mbështjellë me flamurin kombëtar u vendos në shtratin e një topi, ndërsa kortezhi nën tingujt e marrsheve funebër ka shkuar drejt varrezave të “Dëshmorëve të Atdheut” ku do të prehet për gjithmonë major Tanushi.
Në mesditë rrjeti i RTSH ndërpreu transmetimet në të gjithë kanalet e tij dhe mbajti një minutë heshtje në shenjë nderimi dhe respekti për “Dëshmorin e Atdheut” major Klodian Tanushit.

Para Mbrapa
Para Mbrapa
Sicred