Shqipëria ka pësuar të shtunën një humbje dëshpëruese nga Izraeli në “Elbasan Arena” në takimin kualifikues për grupin G të Botërorit Rusia 2018. Veç rezultatit 3-0, Shqipëria u ndëshkua rëndë nga arbitri turko gjerman Deniz Aytekin, i cili nxorri dy here kartonin e kuq për Gjimshitin dhe portierin Berisha, duke e lënë ekipin shqiptar në pjesën më të madhe të kohës me 10 dhe 9 lojtarë.
Izraelitët kanë kaluar në avantazh me një penallti të shënuar nga Zahavi në minutën e 17-të, pasi më parë arbitri largoi me të kuq Gjimshitin për një ndërhyrje të dyshimtë. Në minutën e 57-të arbritri nxorri me të kuqe portierin Berisha i cili u konfliktua fizikisht me një sulmues izraelit, ndërsa akordoi edhe një penallti. Por portieri i sapo futur Hoxha arriti ta priste penalltinë, duke rritur entuziazmin e kuqezinjve dhe tifozëve të pakët, por mjaft të zjarrtë. Pas 10 minutave Hoxha kapitulloi pasi Einbinder ktheun në gol një grushtim të tij. Ekipi shqiptar vazhdoi të luajë mjaft i nervozuar dhe plot gabime. Ndërsa izraelitët të qetë dhe racionalë, arritën të shënojnë golin e 3-të me anë të Atar në minutën e 83-të. Minutat deri në përfundim ishin plot ankth për kuqezinjtë, por në fund ata sërish dolën kokëulur. Pa dyshim një ndër më të dëshpëruarit e këtij takimi, duhet të jetë traineri De Biazi, i cili kish deklaruar se nuk do të ishte kënaqur me barazim, por vetëm fitore.
Takimi Shqipëri – Izrael, do të mbahet mend edhe për diçka tjetër. I parashikuar për t’u mbajtur në “Loro Boriçi” në Shkodër, ai u transferua me urgjencë në “Elbasan Arena” pas njoftimeve për rrezikun e akteve terroriste gjatë takimit. Ai u zhvillua nën masa tepër të larta sigurie. Sipas disa komenteve këto masa kanë ndikuar që prania e tifozëve në stadium të jetë e ulët, rreth 5000 persona, ndërsa rrjeti i policëve që ruanin mbarëvajtjen e takimit ishte rreth 2000 efektivë.
