KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Shqipëria feston “Ditën e Verës”
Festohet "Dita e Verës"

Shqipëria feston “Ditën e Verës”

14 marsi në Shqipëri festohet  si “Dita e Verës”.  Në trojet shqiptare ajo konsiderohet si festa me e lashtë që nga koha e paganizmit, shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Sipas traditës festimet synojnë të nderojnë natyrën e bukur shqiptare dhe bimësinë që nis e merr jetë në këtë datë pas stinës së dimrit që në Shqipëri përgjithësisht lë mjaftë pasoja.
Në disa zona “Ditën e Verës” ndizen zjarre, si dëshirë për të pastruar dhe për t’i dhënë forcë diellit. Në të kaluarën nga gratë shqiptare bëheshin rite magjike e kundër kafshëve dëmtuese dhe grabitëse.
Shqiptarët, ndonëse u përkasin besimeve të ndryshme fetare, por që jetojnë prej vitesh në harmoni, “Ditën e Verës” e festojnë të gjithë. Kryeqendra e festimeve është Elbasani, me ballokumen e tij të famshme, një ëmbëlsirë karakteristike e zonës. Por vitet e fundit festa është shtrirë në Tiranë dhe qytete të tjera, sheshet kryesore të të cilave transformohen në ambiente të gëzueshme festive me spektakle të shumta. Prej disa vitesh “Dita e Verës” është konsideruar festë zyrtare dhe për shumicën e shqiptarëve është ditë pushimi, ku urimet për një jetë më të mire dhe të begatë, janë lajtmotiv i saj. Politika shqiptare e shfytëzon këtë ditë për të lëshuar mesazhe urimi, ku nuk mungojnë edhe ngarkesat politike.

Sicred