KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria e mbuluar me borë, akset kombëtare të qarkullueshme, zonat e thella malore të izoluara

Shqipëria e mbuluar me borë, akset kombëtare të qarkullueshme, zonat e thella malore të izoluara

Reshjet e borës në Qarkun e Kukësit kanë vijuar edhe në orët e para të së enjtes, duke bërë që lartësia e borës në qytete të arrijë deri në 40 cm, ndërsa më në lartësi i kalon dhe 60 cm. Si rezultat i kësaj situate, janë të bllokuara pesë njësi administrative në bashkinë Kukës; Kalis ,Grykë-Çaj, Shishtavec, Zapod dhe Topojan, është ndërprerë mësimi pothuajse në të gjitha shkollat e qarkut, veç shkollave të qytetit të Kukësit. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile, Rruga e Kombit është e kalueshme normalisht, po kështu dhe rruga Kukës-Krume, ndërsa në akset e tjera kombëtare nevojitet pjesërisht përdorimi i zinxhirëve. Po sipas të njëjtit burim, edhe në të gjitha akset bashkiake të Tropojës e Hasit, duhet të përdoren zinxhirë. Reshjet e dendura të borës kanë lënë pa energji elektike Njësinë Administrative Malzi dhe fshatin Surroj në Kukës.

Edhe në Shkodër vazhdojnë reshjet e borës. Pas ndërprerjes për disa orë gjatë natës, mëngjesin e së enjtes, kanë rinisur reshjet në gjithë territorin e bashkisë. Në qytet, trashësia e borës, ka arritur në rreth 30 cm, duke vështirësuar qarkullimin si për automjetet ashtu dhe për këmbësoret. Gjatë ditës së mërkurë në urgjencën e spitalit të Shkodrës, janë paraqitur 15 raste me fraktura si pasojë e rrëshqitjeve të këmbësorëve në rrugë dhe trotuare. Borëpastrueset dhe fadromat e bashkisë, po punojnë në rrugët kryesore të qytetit, për lehtësimin e qarkullimit. Edhe Policia Rrugore u bën thirrje qytetarëve të kufizojne sa më shumë lëvizjet me mjete e ne rast lëvizje, këshillon drejtuesit e automjeteve që të mos qarkullojnë pa vendosur zinxhirë, të moderojnë shpejtësinë në ato akse ku ka prezencë dëbore dhe akulli.

Të gjitha akset nacionale të qarkut të Korçës janë të kalueshme. Në disa prej tyre rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Bëhet fjale për aksin Korçë -Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë- Gorricë dhe Korçë-Ersekë- Leskovik. Situatë shumë e vështirë, paraqitet në aksin nacional Maliq-Moglicë, ndërsa në aksin nacional Kapshticë- Qafë Thanë kalimi është normal, por rekomandohet edhe përdorimi i zinxhirëve. Zonat malore të qarkut të Korçës janë ato më problematikët. Njesia Lekas në Korçë është e bllokuar, ndërkohë që fshatra të thellë të Vithkuqit, si Panariti e Shtylla, janë të bllokuara, siç janë të bllokuarë edhe fshatrat e Njësive Dardhas, Proptisht, Trebinjë e Velcan në Pogradec, në Maliq janë të izoluar fshatra të Gorës e Moglicës, Devolli i Sipërm është njëkohësisht i izoluar, në Kolonjë të gjitha fshatrat e njësive administrative malore, paraqiten me probleme të mëdha e bllokime të rrugëve. Institucioni i prefektit, bën me dije se në Malësinë e Gorës e Mokrës, por edhe në fshatra të Fushës së Korçës, ka pasur probleme me energjinë elektrike.

Gjatë orëve të natës dhe mëngjesin e sotëm në Qarkun e Gjirokastrës nuk ka patur reshje dëbore ndërsa kanë nisur rreshjet e shiut. Një pjesë e zonave malore të qarkut si Frashëri, Pogoni, etj vazhdojnë të jenë pjesërisht të bllokuara, ndërkohë që janë të kalueshme për mjetet rrugët kombëtare. Mesimi nuk është zhvilluar edhe ditën e sotme në shkollat e Arsimit parauniversitar në qarkun e Gjirokastrës.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com