KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria duhet të trajtojë më tej sfidat e emigracionit të parregullt. Raporti i Komisionit Europian

Shqipëria duhet të trajtojë më tej sfidat e emigracionit të parregullt. Raporti i Komisionit Europian

Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të formatit europian si Partneritet Lindor, kanë kaluar provimin e parë të vlerësimit të standarteve të përmbushura ose të ruajtuar për liberalizimin e vizave. Edhe pse kanë vite që udhëtojnë me regjim të liberalizuar në BE, vendet anëtare të BE, po u kërkojnë edhe vendeve të Ballkanit, krahasimisht me vendet e Partneritetit Lindor që synojnë liberalizimin e vizave, të performojnë për monitorim të vazhdueshëm.
Komisioneri për migracionin Dimitri Avramopulos, tha se përkushtimi europian për ta ruajtur udhëtimin pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Partneritetit Lindor, shoqërohet me përgjegjësi, si për qytetarët ashtu dhe për autoritetet përkatëse. “Unë përshëndes përpjekjet e bëra nga autoritetet shqiptare për forcimin e masave për trajtimin e migrimit të parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare më të prekura deri tani. Megjithatë, tani përpjekjet duhen mbështetur më tej për të siguruar që progresi të vazhdojë i pandërprerë, veçanërisht fushatat e ndërgjegjësimit mbi detyrimet dhe kushtet e udhëtimit pa viza dhe përmirësimi i kontrollit të kufijve, si dhe shtimi i hetimeve dhe ndjekjes penale të grupeve të krimit të organizuar” tha zoti Avramopulos.
Duke këmbëngulur për zbatimin e qëndrueshëm, zoti Avramopulos tha se përpjekjet për ta frenuar migrimin e parregullt po japin rezultate, sidomos në rënien e konsiderueshme të kërkesave për azil, nga ku sfidat ende vazhdojnë, veçanërisht në Shqipëri. “Eshte vendi me numrin më të madh të aplikimeve të pabazuara për azil mes shteteve pa viza. Autoritetet shqiptare kanë qenë aktive për forcimin e masave për të trajtuar migracionin e parregullt dhe për përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare më të prekura. Këto përpjekje po japin tashmë rezultate, por përpjekjet duhen mbështetur për të siguruar që zbatimi të vazhdojë i pandërprerë. Me një numër të ndryshueshëm refuzimesh të hyrjes dhe qëndrimesh të parregullta, Komisioni u bën thirrje të gjitha vendeve të interesuara që të ndërmarrin veprime specifike, duke filluar nga forcimi i kontrolleve kufitare deri tek organizimi i fushatave informuese për udhëtimin pa viza” tha zoti Avramopulos.
Raporti i sotëm pason detyrimin ligjor të Komisionit në kuadrin e mekanizmit të forcuar të pezullimit të vizave, i miratuar në mars 2017, për të monitoruar përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave nga vendet jo-anëtare të BE-së, si dhe për t’i raportuar mbi këto çështje Parlamentit Evropian dhe Këshillit, të paktën një herë në vit. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, raporti i ri zëvendëson raportet e mëparshme të monitorimit pas liberalizimit të vizave dhe mbulon periudhën që nga raporti i fundit i tillë i shkurtit të vitit 2015. Qytetarët e Shqipërisë po udhëtojnë pa viza në vendet e BE që nga fundi i vitit 2010.

Sicred