KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Shqipëria do të përkujtojë 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar – Skënderbeut
Shqipëria do të përkujtojë 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar - Skënderbeut

Shqipëria do të përkujtojë 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar – Skënderbeut

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “vendimi i parë i qeverisë së re do të jetë shpallja e vitit 2018, si “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut”. Deklaratën e tij zoti Rama e bëri në rrjete sociale pas një takimi dy ditor me të përzgjedhurit e tij në kabinetin e ri.
Vendimi merret për të kujtuar heroin kombëtar shqiptar në 550 vjetorin e vdekjes së tij.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ka lindur më 6 maj 1405 dhe ka mbyllur sytë më 17 janar 1468. Me emrin tij lidhet një epokë e tërë historike për trevat arbnore. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese mesjetare shqiptare që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër vendosjes së sundimit perandorak osman.
Ai realizoi të parin bashkim politik të princërve shqiptarë të kohës në Kuvendin e Lezhës, në fillimi të marsit 1444, i cili u hapi rrugë përpjekjeve për themelimin e një shteti mesjetar shqiptar.
Nga vendet europiane Skënderbeu është konsideruar si mbrojtës i krishterimit.
Sipas kryeministrit shqiptar një komision i posaçëm do të ngrihet për organizimin dhe promovimin e këtij viti.
Por veç 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, spikasin edhe tre përvjetorë të tjerë, me rëndësi themelore për kombin shqiptar. Më 28 nëntor 2017 përkujtohet 105 vjetori i pavarësisë, datë që përkon edhe me 574 vjetorin e hyrjes së Skënderbeut në Krujë. Tjetër datë e rëndësishme është 10 qershori 2018, 140 vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.
“Kontributi i çdokujt prej jush dhe i kujtdo që ka një ide, sugjerim, propozim për kalendarin e aktiviteteve të VITIT MBARËKOMBËTAR TË SKËNDERBEUT, është mëse i mirëpritur” shkruan kryeministri Edi Rama.

Sicred