KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria dhe Mali i Zi intensifikojnë marrëdhëniet mes tyre
Shqipëria dhe Mali i Zi intensifikojnë marrëdhëniet mes tyre

Shqipëria dhe Mali i Zi intensifikojnë marrëdhëniet mes tyre

Shqipëria dhe Mali i Zi do të mbajnë një mbledhje të përbashkët qeverie në Shkodër në muajin tetor të këtij viti. Kjo u bë e ditur nga kryeministri malazez, Dushko Markoviç dhe homologu i tij Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp, të zhvilluar gjatë vizitës së zotit Rama të hënën në Malin e Zi. Duke falenderuar Shqipërinë për mbështetjen që i ka dhënë anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, proces ky që po i afron finalizimit të tij pasi senati amerikan ratifikoi protokollin përkatës të anëtarësimit, kryeministri malazez Markoviç, u shpreh se marrëdhniet mes dy vendeve fqinje janë të mira, çka mund të vërtetohen fuqishëm nga vizita e Ramës në Mal të Zi, dhe lipset që të punohet më shumë në avancimin e tyre. “Ne jemi të mendimit se Mali i Zi dhe Shqipëria mund të punojmë më shumë në sektorin e energjitikës, infrastrukturës rrugore, turizmit, menaxhimit te burimeve të përbashkëta, duke kontribuar në të mirë të ekonomive të dy vendeve. Prandaj kemi rënë dakord që të krijohet sa me shpejt komiteti ekonomik mes dy vendeve” tha zoti Markoviç.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi ratifikimin nga senati amerikan të protokollit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, si nje arritje për gjithë rajonin pasi e gjithë vija bregdetare e Jonit dhe Adriatikut bëhet zonë e NATO-s. Duke vlerësuar përqasjen e kryeministrit Markoviç dhe koalicionit qeverisës së Malit të Zi ndaj shqiptarëve dhe garantimit të të drejtave të tyre legjitime, kryeministri Edi Rama shprehu bindjen se inkurajimi i mëtejshëm i marrëdhënies me shqiptarët, është një faktor stabiliteti për Malin e Zi dhe per rajonin.
Gjatë takimit dypalësh, dy kryeministrat diskutuan nxitjen e aktiviteteve të përbashkëta për avancimin e marrëdhënieve dy palëshe, si zhvillimin e mëtejshëm të pikës kufitare të Muriqanit.