KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria dhe Mali i Zi forcojnë marrëdhëniet dy palëshe, qeveritë takohen në Shkodër

Shqipëria dhe Mali i Zi forcojnë marrëdhëniet dy palëshe, qeveritë takohen në Shkodër

Shqipëria dhe Mali i Zi po hedhin hapa konrete drejt bashkëpunimit si një mundësi jo vetëm për të forcuar marrëdhëniet dy palëshe, por edhe ato në rajonin e Ballkanit.

Qeveritë e të dy vendeve të kryesuar nga kryeministrat Edi Rama dhe Dushko Markoviç u mblodhën të martën në Shkodër dhe lëshuan mesazhe të shumta miqësie dhe bashkëpunimi. “Më vjen mirë që jemi bashkë këtu, për mundësinë që ky format na jep për të thelluar bashkëpunimin dhe konkretizuar aspekte të shumta shumë të rëndësishme të këtij bashkëpunimi dhe për të forcuar më tutje marrëdhëniet shqiptaro-malazeze si marrëdhënie të një rëndësie të veçantë” tha zoti Rama. “Nuk është vetëm gjeografia e përbashkët, por edhe trashëgimia jonë që ne e ndjejme për detyrë të ruajmë si një model të bashkëpunimit ndërkoufitar, pse jo edhe për gjithë rajonin” shtoi më tej ai.

Gjithnjë në frymën e bashkëpunimit, kryeministri shqiptar tha se jemi të vetëdijshëm se ka potenciale të pashfrytëzuara. “Është koha ti adresojmë këto potenciale dhe të përfitojmë nga shkëmbimi i ideve dhe bashkimi i forcave mes nesh. Duke filluar jo vetëm nga hapja e pikave të reja kufitare që përbën jo vetëm një sukses të përgatitur të këtij takimi, por edhe një bazë më të gjerë, duke vazhduar me shfrytëzimin e vlerave të mëdha ekonomike dhe turistike që mbart e gjithë zona që bashkëndajmë” tha zoti Rama, ndërsa vlerësoi se shembulli malazez i turizmit është një shembull i shkëlqyer për Shqipërinë.

Kryeministri shqiptar pranoi ndërkohë se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve nuk janë të kënaqshme. “Kemi shumë për të bërë kur vjen puna tek nxitja e shkëmbimeve tona tregtare që duhet ta pranojmë nuk janë sot në shifra të atilla që mund të reflektojnë këtë afërsi, gjithë këtë ndërvperim mes njerëzve të zakonshëm dhe këtë potencial mes nesh. Lëvizshmëria e produkteve, certifikimi i tyre, prania e balancuar e investimeve janë pika ku ne mund të bëjmë shumë më tepër” tha ai.

Kryeministri Malazez Dushko Markoviç gjeti rastin të uronte Shqipërinë për vendimin e BE që të caktojë datën për fillimin e negociatave, me një bindje të thellë, siç u shpreh ai, se do të vazhdojë me frymëzim të njëjtë procesin e reformave gjithëpërfshirëse dhe të përvetësimit të standardeve europiane. “Në lidhje me këtë kam dëshirë të rikonfirmoj gatishmërinë e Malit të ZI që edhe në periudhën e ardhshme të jetë mbështetje në realizimin e qëllimeve integruese dhe të ofrojë përvojat e veta” tha zoti Markoviç. Kryeministri malazez tha se “Komunikimi i vazhdueshëm dhe cilësor i dy vendeve do të rezultojë me nënshkrimin e sotëm të disa marrëveshjeve si dhe me një marrëveshje mbi intesifikimin e bashkëpunimit në ato fusha ky bashkëpunim është i dobishëm sic është lufta kundër krimit ndërkufitar, kalimi masiv i emigrantëve, shfrytëzimi i fondeve të BE, arsimi etj”.

Zoti Markoviç vlerësoi rolin e shqiptarëve në vendin e tij. “Shqiptarët në Mal të Zi janë qytetarë që kontribuojnë në zhvillimin e vendit, janë pjesëmarrës aktivë dhe promovues të realizimit të prioriteteve strategjikë të shtetit. Janë faktorë i stabiliteti të ndërtimit të një të ardhme më të mirë të vendit. Në të njëjtën mënyrë siç janë malazezët në Shqipëri, qytetarë që kontribuojnë në zhvillimin e saj dhe jetës politike dhe shoqërore duke ruajtur identitetin dhe traditën e vetë. Natyrisht, gjithmonë mund të kemi prirje për më mirë dhe përpjekjet e qeverive tona duhet të jenë ende të drejtuar nga realizimi i të drejtave të pakicave në përputhje me standardet ndërkombëtare” tha zoti Markoviç.

Pas disa mbledhjeve të përbashkëta me qeverinë Kosovës dhe me qeverinë e Maqedonisë, disa muaj më parë në Pogradec, Mali i Zi është vendi i tretë i rajonit të Ballkanit me të cilin Tirana zyrtare zhvillon takime të përbashkëta në nivelin më të lartë të ekzekutivëve.

Sicred