KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria dhe Franca nënshkruajnë deklaratën e partneritetit strategjik

Shqipëria dhe Franca nënshkruajnë deklaratën e partneritetit strategjik

Qeveria shqiptare dhe ajo franceze kanë nëshkruar një serë marrëveshjesh të cilat ngrenë kuadrin e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri – Francë në nivel strategjik. Kjo është bërë e ditur gjatë vizitës që kryeministri shqiptar Edi Rama realizoi të martën në Paris i ftuar nga homologu i tij francez Bernard Cazeneuve.

Kryeministri shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati. Gjatë bashkëbisedimeve me autoritetet franceze palët patën mundësinë të konfirmojnë marrëdhënien speciale midis Shqipërisë dhe Francës si dhe rëndësinë e bashkëveprimit afatgjatë midis dy vendeve në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe sigurisë, në rrafshin dypalësh, rajonal dhe më gjerë.

Në takimin e posaçëm me homologun francez Cazeneuve, Kryeministri Rama shprehu falenderimet e Qeverisë shqiptare për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit europian të vendit tonë si dhe për vëmëndjen e shtuar dhe dedikimin e Francës në mbarëvajtjen e proceseve dhe projekteve rajonale.

Kryeministri Cazeneuve vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe ecurinë e reformave në fushën e sundimit të së drejtës, përpjekjet e sukseshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri francez falenderoi gjithashtu palën shqiptare për bashkëpunimin me autoritetet franceze në fushën e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Bashkëbiseduesit veçuan rëndësinë e trefishtë të zbatimit të reformës në drejtësi si një reformë të nevojshme për të rritur besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, si dhe impaktin e saj në fushën e sigurisë dhe në përforcimin e sundimit të së drejtës në ekonomi. Pala franceze nënvizoi gjithashtu rolin e posaçëm të Shqipërisë në stabilitetin demokratik të rajonit.

Në përfundim të takimit, në praninë e dy kryeministrave, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrat francezë Fekl, Desir dhe Todeschini, nënshkruan deklaratën e partneritetit strategjik midis dy vendeve si dhe marrëveshjet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë të sigurisë.

Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Bushati pati një takim të veçantë me Sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane Harlem Désir gjatë të cilit bashkëbiseduesit evidentuan progresin e reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri, sfidat e përbashkëta që ndan rajoni ynë me vendet e Bashkimit Europian si dhe rolin motor të Shqipërisë për stabilitetin demokratik dhe integrimin euro-atlantik të rajonit.

Deklarata e partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Francës përbën dokumentin më të rëndësishëm të nënshkruar midis dy vendeve. Ky dokument ofron një bazë afatgjatë bashkëpunimi të përforcuar dhe preferencial mbi një spektër të gjerë çështjesh, duke nisur nga integrimi europian i vendit tonë, sundimi i së drejtës në ekonomi, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, dhe deri tek zhvillimi i sektorëve strategjikë të ekonomisë sonë, siç është energjia.​

Sicred