KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Shqipëri – Kosovë drejt marrëveshjes për pensionet
Shqipëri - Kosovë drejt marrëveshjes për pensionet

Shqipëri – Kosovë drejt marrëveshjes për pensionet

Në parlamentin shqiptar Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ka miratuar në unanimitet në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e së drejtës për pension”.
Miratimi i kësaj marrëveshjeje nga parlamenti shqiptar do t’i japë mundësinë shqiptarëve në të dy anët e kufirit të mos humbasin periudhat e tyre kontributive, pavarësisht se ku punojnë, në Shqipëri apo Kosovë.
Në relacionin përkatës mbi marrëveshjen, jepen përcaktimet lidhur me palët kontraktuese si: autoritetet, institucionet, periudhat e sigurimit, legjislacioni, i siguruari, pensioni, vendbanimi, anëtar i familjes; etj, sipas legjislacioneve përkatëse të të dy vendeve. Gjithashtu, përcaktohet fusha e zbatimit ligjor dhe ajo personal si dhe trajtimi i barabartë i shtetasve lidhur me të drejtat dhe detyrimet për plotësimin e kushteve dhe pagesën e përfitimeve. Institucioni kompetent, i cili vërteton të drejtën për pension, në përputhje me këtë marrëveshje, kryen pagesën e pensionit për personat, të cilët i plotësojnë kushtet sipas kësaj marrëveshjeje.
Në pjesën e tretë jepen dispozita të tjera, që kanë të bëjnë me shkëmbimin e informacionit, lehtësirat fiskale, njohjen e vërtetimeve, komunikimin ndërmjet autoriteteve kompetente dhe institucioneve kompetente si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Sicred