KRYEFAQJA » LAJME » Shpërthimet në Zharrëz, greva e urisë hyn në ditën e shtatë

Shpërthimet në Zharrëz, greva e urisë hyn në ditën e shtatë

Ndërsa ka hyrë në ditën e shtatë, greva e urisë së 11 banorëve të Zharrëzës, gjendja shëndetësore e tyre po përkeqësohet. Këtë mesditë Luan Jahjaj rreth 40 vjeç pati nevojë për ndihmë urgjente mjekesore të cilën e mori pranë spitalit rajonal të Fierit. Banorët e Zharrëzes kanë zgjedhur të përdorin këtë formë ekstreme për të tërhequr vëmendjen e instancave të larta për zgjidhjen e problemit të lëkundjeve të tokës në zonë nga shpërthimet që kryen kompania e naftës Bankers Petrolium. Sipas banorëve nga shpërthimet e fuqishme, janë dëmtuar mbi 130 shtëpi. Ata kërkojnë ose ndalimin e operacioneve të kompanisë së naftës, ose evakuimin e gjithë banorëve në vende të sigurta.

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, zoti Petrit Vasili kërkon ngritjen me urgjencë të komisionit qeveritar për situatën e krijuar në njësinë administrative të Zharrëzës. “Koha nuk pret për zgjidhjen e kësaj çështje. Duhet të ngrihet me urgjencë komisioni qeveritar për situatën e krijuar në Zharrëz në mënyrë që të fillojë ndërhyrja emergjente. Gjendja e grevistëve të urisë është e rëndë dhe letra e deputetëve shpreh shqetësimet e komunitetit” tha zoti Vasili. Sot grevistët u vizituan nga deputetë demokratë të zonës Bedri Mihaj e Kozma Dashi.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë që me 20 dhjetor ka urdhëruar ndërprerjen urgjente të operacioneve të injektimit me presion të lartë të ujit teknologjik në puset e lokalizuara përreth fshatit Zharrëz, deri në një njoftim të dytë. Ajo ka ngritur një grup pune për verifikimin e situatës.

Sicred