KRYEFAQJA » LAJME » Shkolla “Kosova” nis rindërtimi
Shkolla "Kosova" nis rindërtimi

Shkolla “Kosova” nis rindërtimi

Bashkia e Tiranës ka inaguruar punimet për hapjen e themeleve të Shkollës “Kosova”, një prej shkollave më të vjetra të Tiranës. “Më në fund, sot jemi në një situatë ku po hedhim themelet e shkollës, të cilën do mund ta rihapim shtatorin tjetër, pas disa vitesh ndërprerje” tha kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Zoti Veliaj kujtoi kalvarin e këtij institucioni. “Me ndihmën e qeverisë shqiptare për shpronësimet, pastrimin e territorit, kemi rifituar një hapësirë publike e cila në vitet e rrumpallës së Bashkisë së Tiranës u kthye në një hapësirë për të bërë pallat, si një hapësirë për përfitim personal dhe jo publik” tha ai.
Shkolla “Kosova” është ngritur më 1940 nga ministria e atëhershme e arsimit. Ajo ka qenë shkollë fillore dhe në të janë arsimuar breza të tërë nxënësish. Në vitin 2001, Komisioni i Njohjes, Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vendosi t’ia kthejë pronën ish pronarëve, të cilët ashtu si shumë pronarë shtëpish dhe trojesh në Tiranë, kërkuan leje të ngrinin një ndërtesë banimi. Por Bashkia e Tiranës e konsideroi vendimin të jashtëligjshëm dhe ndërmoi një proces të gjatë gjyqësor, të cilin arriti ta fitonte. Megjithatë shkollës nuk ju rikthyen nxënësit. Ajo u transformua në një parking makinash pasi më parë ishte djegur dhe rrafshuar tërësisht .
Kreu i Bashkisë Erion Veliaj tha se shkolla e re Kosova, emblemë e arsimit shqiptar në kryeqytet “… shkon nga një kat me qerpiç, ndërtuar vite më parë, në një katërkatësh me ashensor, me aksesueshmëri edhe për ata që janë me aftësi të kufizuar, me një auditorium 125 vende për të gjithë komunitetin, me një palestër moderne, me disa laboratorë”. Ai premtoi se vitin e ardhshëm Shkolla “Kosova” do të hapi dyert duke ndihmuar që të ulet ngarkesa edhe në shkollat e tjera.

Sicred