KRYEFAQJA » LAJME » Shkodër: Spitali Rajonal, me shërbime të reja falas

Shkodër: Spitali Rajonal, me shërbime të reja falas

Nikolin Palaj, është pacienti i dytë, të cilit brenda një muaji, në spitalin rajonal të Shkodrës, iu vendosen falas, proteza totale ortopedike. “Ndihem shumë mirë. Falenderoj mjekun që ka bërë një punë të shkëlqyer, gjithashtu dhe Ministrinë e Shëndetësisë që mundësoi protezat falas” tha pacienti.

Për këtë vit, Ministria e Shëndetësisë për Shkodrën ka planifikuar 100 milionë lekë për protezat falas: “Kërkesat janë të shumta dhe prurja që ka ardhë tashmë nuk është se mund t’i mbuloje të gjitha kërkesat, por janë hedhur hapat e parë për këtë punë” u shpreh Besnik Mustafaj Ortoped pranë spitalit Rajonal Shkodër.

Spitali i Shkodrës është dhe një prej 5 spitaleve ku së fundmi po ofrohet dhe shërbimi i Kemioterapisë. Aktualisht në këtë repart po trajtohen rastet e kancerit të gjirit dhe të zorrës së trashë. “Deri tani numri i pacientëve që janë paraqitur janë dhjetë pacientë. Vihet re që ka një interesim, sepse kujdesi që marrin është cilësor dhe sipas të gjitha kushteve që ofrohen edhe në QSUT, dhe pacientët ndihen më komod sepse u shkurtohet koha, rruga që duhet të shkojnë deri në Tiranë” tha Daniela Bega mjeke Onkologe .

Në mesin e muajit mars, pritet të perurohet dhe salla e re reanimacionit, me dyfish kapacitet nga ajo ekzistuesja dhe sipas parametrave bashkëkohore. “Shumë shpejt do të bëjmë dhe inagurimin e rikonstruksionit të reanimacionit polivalent me vlerën 500 mijë euro investim , ku 250 mijë euro janë vetëm pajisjet e reja që do vendosen në këtë reanimacion, duke e kompletuar me të gjitha shërbimet Spitalin Rajonal Shkodër” shtoi më tej Perparim Çela Drejtor i Spitalit Shkodër.

Gjatë tre viteve të fundit, në spitalin rajonal të Shkodrës janë mundësuar edhe shërbimet e koronarografisë dhe hemodializës, investime këto, në vlerën e 5 milion eurove.

Sicred