KRYEFAQJA » LAJME » Shkatërrohet unaza e qytetit të Rreshenit

Shkatërrohet unaza e qytetit të Rreshenit

Një skandal i vërtetë është ndërtimi i unazës së qytetit të Rreshenit. Ajo tashmë është jasht përdorimit si pasojë e shkatërrimit që pësoi nga gërryerjet e lumit Zmeja gjatë prurjeve të tij në dimrin e kaluar. Duke parë këtë katastrofë që pësoi unaza e sapo përfunduar, këshilltarët opozitarë kërkuan që të mblidhet urgjentisht këshilli bashkiak i Mirditës e të merret në shqyrtim ky skandal, për të përcaktuar shkaqet dhe fajtorët e këtij shkatërrimi por kjo gjë nuk u pranua. Më pas këshilltarët opozitarë të këshillit të bashkisë Mirditë kërkuan herë pas here që problemi të futet në rendin e ditës në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak por kërkesa e tyre nuk u aprovua edhe për arsye të numrit të pakët të tyre në këshill. Pas shumë përpjekjesh dhe pas shumë kohësh ai u fut në rendin e ditës. Nga dokumentacioni i kësaj bashkie rezulton se projekti ka mangësi të shumta. Në këtë projekt mungon tërësisht studimi hidroteknik, gjeologjik, hidrogjeologjik dhe mjedisor pa të cilat projekti nuk ka asnjë vlerë për zbatim. Fondi i kësaj rruge është tenderuar pa patur një projekt teknik të përfunduar gjë që përben shkelje të rëndë ligjore. Në dokumentat e tenderit mungojnë shkresat se nga ka ardhur fondi për këtë objekt. Nga ana e bashkisë Rreshen nuk është bërë tender për supervizor. Këshilltarët opozitarë referuan në këshillë se nga verifikimi i dokumentacionit del se shkatërrimi i rrugës ka ardhur si pasojë e mungesës së projektit të pa realizuar konform ligjit. Ndër të tjera në projekt nuk është përfshirë mbrojta lumore. Për të gjitha shkeljet, mangësitë dhe abuzimet që janë bërë në unazën e qytetit të Rreshenit me një vlerë prej 912 milion e 961 e mijë e 550 lekë (912.961.550 lekë ) me një gjatësi prej rreth 400 metra, këshilltarët opozitarë kërkuan ndjekjen penale të ish kryetarit të bashkisë Rreshen zotit Ndue Gega, të inxhinierit të zyrës urbanistike Rreshen zotit Altin Marashi për dëmin e madh që kanë shkaktuar me abuzimet e tyre me detyrën dhe shkeljet e shumta ligjore që kanë kryer. Po ashtu përveç tyre të ndiqen penalisht nga prokuroria Lezhë edhe persona të tjerë të lidhur me këtë skandal.

Sicred