KRYEFAQJA » LAJME » “Shkërmoqet” Gjykata Kushtetuese

“Shkërmoqet” Gjykata Kushtetuese

Kolegji i Posacëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, duke i dhënë një tjetër goditje kësaj gjykate. Trupa gjykuese e kryesuar nga Ardian Hajdari dhe e përbërë nga Luan Daci, Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz, arriti në përfundimin se Dedja nuk e justifikon pasurinë që ka ngritur.

Vendimi i marrë disa muaj më parë në shkallën e parë të vettingut, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që e konfirmonte Dedjan në detyrë, u ankimua nga Institucioni i Komisionerit Publik me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Argumenti ishte se gjyqtari kushtetues kishte deklarime të pasakta si dhe fshehje të pasurisë. Dyshimet u ngritën për një apartament 98m2 në Tiranë, një apartament 146 m2 dhe garazh po në Tiranë, si dhe një apartament 60 m2 në Golem.

Ky është precedenti i parë që krijon Kolegji i Apelit duke ndryshuar vendimin që ishte marrë në shkallë të parë që konfirmonte në detyrë Bashkim Dedjan. Sakaq Dedja u zgjodh një javë më parë anëtar zëvendësues në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. 

Vendimi çon në shkërmoqjen e plotë të Gjykatës Kushtetuese në një moment kur e vetmja anëtare që ka kaluar vettingun është Vitore Tusha ndërsa të tjerët janë shkarkuar dhe dorëhequr.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com