KRYEFAQJA » LAJME » Shije e hidhur në Europën e parë të Luftëtarit
Shije e hidhur në Europë e parë të Luftëtarit

Shije e hidhur në Europën e parë të Luftëtarit

8 gola të pësuar dhe tre të shënuar, 180 minuta në total që të lënë një shije të hidhur. Europa e parë e Luftëtarit do të mbahet mend gjatë, jo sepse gjirokastritët debutuan dhe e nderuan kompeticionin Europa League, por sepse lanë pas një mal me dyshime.
Ndryshimet e mëdha në formacion dhe staf pas erës Lika e transformuan skuadrën jo vetëm në organikë, por edhe në mendësi. Ndoshta ende të dehur nga kjo arritje, në klubin gjirokastrit zhvilluan një merkato të zhurmshme dhe aspak cilësore dhe për më tepër nuk arritën të ruanin tiparin më identifikues të kësaj skuadre, frymën e grupit.
Por përtej problemeve në skuadër, diçka nuk shkon realisht në këtë klub. Në Europë, minimalisht në raundin e parë nuk ka kundërshtarë të pakalueshëm dhe një shembull për këtë na i dha Laçi. Pasi mësuan kundërshtarin, në qytetin jugor u shfaqën optimistë. Ventspils edhe pse një skuadër me emër me peshë në Letoni, nuk të ngjall asnjë frikë dhe në këtë rast, Luftëtari peshkoi rivalin më të dobët të mundshëm.
Por brenda pak javëve erdhi zhgënjimi i parë. Një 5-0 tronditëse për të gjithë ata që e kishin shijuar futbollin e bluzinjve në dy sezonet e fundit. Grupi spektakolar dhe luftëtar i vërtetë në çdo takim të Superligës, u poshtërua në brigjet e Balltikut, ndërsa në “Elbasan Arena” u kujdes që futbolli të merrte trajtat e komikes. Nuk mund të paragjykohet një ndeshje vetëm për faktin se përfundoi në shifrat 3-3, por sigurisht që mund të analizohet sjellja e lojtarëve në fushë në disa raste.
Duke mbyllur njërin sy në dy golat e parë të pësuar nga gjirokastritët, rrjeta e tretë e letonezëve në fundin e takimit është nga ata gola që ndajnë njëherë e përgjithmonë nga mund të anojë peshorja e gjykimit që tifozët dhe njerëzit i bëjnë kësaj loje. Pothuajse të njëjtët lojtarë që çdo fundjavë kafshojnë kaviljet e kundërshtarëve në Kategorinë Superiore, në fundin e takimit të Elbasanit nuk kishin qartësinë, por ndoshta as dëshirën për të evituar një gol në dukje qesharak. Një sezon i gjithë i hedhur në kosh të plehrave pasi Luftëtari ndoshta nuk do të mbahet mend si skuadra spektakolare, por si grupi që pësoi plot 8 gola nga një prej rivalëve më të dobët që mund të kishte hasur në këtë raund.

Sicred