KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Sheshi Skënderbej” do jetë dhe “Sheshi i Koncerteve”

“Sheshi Skënderbej” do jetë dhe “Sheshi i Koncerteve”

Të shtunën pasdite Sheshi Skënderbej, me një pamje të re do të hapet për qytetarët. Detajet e projektit të zbatuar gjatë një viti nuk janë të panjohura për publikun, por përurimi i sheshit kryesor të mentropolit shqiptar do të vijë në mënyrë ceremoniale. Ai do të integrojë elementë të tillë, si veçantitë e çdo qyteti a krahine në një koncert madhështor.
Julinda Dhame e Bashkisë së Tiranës thotë se nuk është lajm që hapet Sheshi Skenderbej, por është lajm që do të ketë një koncert gjithë shqiptar.” Ne duam ta përurojmë sheshin si “Sheshi i Koncerteve” tha ajo për RTSH.
Regjisori Pali Kuke spjegon se koncerti do të sjellë traditën në mënyre krejt të veçantë. Nuk do të mund ta shijojnë vetëm të pranishmit, por përmes teknologjisë më të avancuar dhe bashkepunimit me RTSH-në ai do të transmetohet drejtpërdrejtë, duke nisur nga ora 20.35. “Nëpërmjet gurëve që erdhën nga të gjitha trojet dhe u vendosën tek sheshi, erdhi dhe memorja. Ti thua Skrapar dhe të vjen ndër mend isoja e tyre. Ti thua Tropoja dhe të kujtohet vallja e famshme e Tropojës. Këto detaje janë edhe në skenë” thotë ai. Sipas zotit Kuke një ndër regjisorët më të njohur të RTSH, i takon këtij institucioni që të shkojë tek telespektatorët.
Skenografia është një tjetër element i rëndësishëm i këtij realizimi. Skenografi Albi Çifligu ka sjellë konceptin e një ëndrre. “Kishim shumë qejf që gjithë shqiptarët të uleshin dhe ta shijonin koncertin realisht dhe një ëndërr e tillë realizohet kur mblidhen të gjithë në të njëjtën ëndërr”.
Maratona e eventeve kulturore në sheshin Skënderbej do të vijoj gjatë gjithë muajit. Të hënën në ora 20.35 Orkestra Simfonike e RTSH-së do të performojë muzikë të filmave shqiptarë ndër vite, koncert që do të transmetohet drejtëpërdrejtë në RTSH 1.